Protesta studentore, reagon Lindita Nikolla: ‘Kjo pikë nuk ka hyrë ende në fuqi’

 Read in English

Pas protestës së zhvilluar ditën e sotme përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, ka qenë ministria Lindita Nikolla ajo që është përpjekur të sqarojë situatën. Nëpërmjet një konference për shtyp Nikolla ka kërkuar përfaqësi të studentëve, për t’i takuar e për të dëgjuar problematikat e tyre.

“Unë i pres në çdo orë të ditës studentët, për të biseduar rreth çështjeve për të cilat ata janë të interesuar,” ka thënë ministria.

Por studentët nuk kanë pranuar të ulen në tavolinë diskutimi me ministren, madje ata janë shprehur se do të vijojnë protestat.

Në konferencën për shtyp Lindita Nikolla ka thënë gjithashtu se VKM- ja për të cilën studentët ankohen nuk ka hyrë ende në fuqi dhe nuk i prek fare ata që protestojnë.

“Kjo pikë nuk ka hyrë ende në fuqi për këta studentë, lidhet me ata që futen këtë vit në vitin e parë dhe vitin tjetër mund të ketë efekte. Sot rektorët dhe dekanët do të adresojnë dhe patjetër jam e hapur që të ecim drejt një propozimi që kjo pikë t'u lihet universiteteve, jo qeverisë. Kjo pikë nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk ka një impakt në asnjë student. Do të futet vitin tjetër. Nëse universitetet janë dakord unë jam gati ta lëmë në tagër të autonomisë universitare,” ka thënë Nikolla.

Por tarifa prej 670 lekësh për provim të mbartur nuk është shqetësimi i vetëm i studentëve, ata gjithashtu kërkojnë uljen e tarifës vjetore të studimeve, shtyrjen e afatit ose mundësinë e shlyerjes së saj me këste.

Ndërkohë për ditën e nesërme studentët kanë planifikuar të protestojnë sërish dhe kanë ftuar të gjithë kolegët e tyre të universiteteve publike që të bojkotojnë mësimin. Ata do të grumbullohen nesër në orën 08:00 në oborret e fakulteteve përkatëse dhe do të ecin drejt Ministrisë.

Artikuj të ngjashëm