Ç’të shohësh me të dashurin kur s’ju dilet dhe doni vetëm filma

 Read in English

Fundjavë e ftohtë. Shi ndoshta. Askush nuk ka bërë plane dhe nuk do të bëjë plane. Doni vetëm të qëndroni në shtëpi, të hani kokoshka në shtrat, të pini një çaj të ngrohtë me mollë dhe kanellë ose çfarëdo tjetër. Çfarë mungon? Po, filma; romancë, komedi dhe pak dramë tek-tuk. Në këtë artikull po përpilojmë një listë me disa nga komeditë romantike (dhe jo vetëm) me të famshme të këtyre viteve të fundit.  Bëjeni save diku, pasi më besoni që do t’ju duhet një ditë.

2018 – “Crazy Rich Asians”

Aktorët: Constance Wu, Henry Golding, Michelle Yeoh, Gemma Chan, Awkwafina

Për çfarë flet historia: “Crazy Rich Asians” flet për një grua aziatiko-amerikan, Rachel Chu, (Constance Wu) që shkon në Singapor për të takuar familjen e të dashurit. Aty kupton se i dashuri i saj (Henry Golding) është djali i familjes më të pasur në vend, aq të pasur sa është e pabesueshme. Rachel i duhet të përballet me shokun kulturor që pëson dhe sidomos me vjehrrën e ardhshme dashakeqe.

Shënim: Që kur u publikua traileri, të gjithë e dinin që “Crazy Rich Asians” do të korrte një farë suksesi. Kur u shfaq për herë të parë në kinematë amerikane jo vetëm që i arriti pritshmëritë, por i tejkaloi. Për vetëm dy ditë, filmi fitoi $25 milionë nga shitja e biletave vetëm në Amerikë. Për të tjera detaje, klikoni këtu.

2018 – “To All the Boys I’ve Loved Before”

Aktorët: Lana Condor, Noah Centineo

Për çfarë flet historia: Letrat sekrete të një gjimnazisteje dalin në dritë duke krijuar një lëmsh të paparë në jetën e saj...

2017 – “The Big Sick”

Aktorët: Kumail Nanjiani, Zoe Kazan

Për çfarë flet historia: Në film trajohet historia e vërtetë e komedianit të lindur në Pakistan, Kumail Nanjiani, i cili dashurohet me Emily Gardner. Marrëdhënia e tyre fillon dhe tensionohet pasi Kumail-it i duhet të përballet me presionin e familjes, që dëshiron të ruajë traditën e martesave me mblesëri.

2014 – “About Last Night”

Aktorët: Kevin Hart, Michael Ealy, Regina Hall, Joy Bryant

Për çfarë flet historia: Gjithë ç’ndodh me dy çifte që kalojnë nga një takim darke tek dhoma e gjumit.

2003 – “How to Lose A Guy In 10 Days” si një ndër komeditë më klasike

Aktorët: Kate Hudson, Matthew McConaughey

Për çfarë flet historia (nëse nuk e dini): Andi, që punon në revistën më të njohur lifestyle-modë të kohës, duhet të shkruajë një artikull me titull “Si ta lësh një djalë në 10 ditë”, ndërkohë që Ben, si pasojë e një basti, tenton ta bëjë të bjerë në dashuri me të. Është një rrëmujë qesharake.

Më sipër janë vetëm disa tituj të mundshëm, pasi pjesën tjetër e gjeni në vijim duke klikuar në linkun përkatës:
- nëse doni filma romantikë për çdo lloj humori;
- nëse doni diçka më ndryshe, po themi një serial mbi një vrasëse me pagesë;
- nëse keni qejf që në fundjavë të shihni filma horror.

Artikuj të ngjashëm