Rrëfimi i një infermiereje shqiptare që la vendin për Gjermaninë

 Read in English
Foto ilustruese

“Mbarova fakultetin e infermierisë në Shqipëri dhe pas shumë përpjekjeve të dështuara për të gjetur punë, vendosa të aplikoj në një nga kompanitë që rekrutonte infermierë në Gjermani.

Pas një viti kursesh dhe përgatitjesh, arrita të marr vizën. Në fillim, m’u afrua një vend pune në azil, të cilin e pranova me shpresën e madhe se do të arrija t’i ndryshoja gjërat me kalimin e kohës.

Erdhi dita, u nisa nga Shqipëria dhe në aeroport më priti dikush nga puna. Kompania shqiptare më kishte premtuar gjithë të mirat, normalisht. Sipas tyre, do të kisha një banesë timen, orare të mira dhe rrogë të kënaqshme.

Pasi zbrita në aeroport, personi që më priti më tha se si fillim do të shkonim në një takim me shefen, e më pas do të më shoqëronin për te banesa ku do të qëndroja. U takova me shefen dhe më shoqëruan që të njihesha me katin ku do të punoja.

Pashë një grup njerëzish të moshuar, pjesa më e madhe e të cilëve dement dhe të paralizuar. Njerëz të cilët nuk arrinin dot as të ushqeheshin dhe kishin trupa të rëndë. Për një moment m’u errën sytë, por thashë 'duhet t’ia dal'. S’kisha zgjedhje tjetër.

Pasi kaloi pjesa më e madhe e ditës, më shoqëruan në shtëpi sepse të nesërmen duhet të punoja turni i parë. Tërhiqja një valixhe të rëndë, më dukej sikur tërhiqja zvarrë shpirtin tim. Në shtëpi, vë re se në fakt, atje jetonin edhe dy burra dhe një grua tjetër. Ishte banesë e përbashkët dhe vetëm një dhomë e vogël ishte e imja.

Në dhomë ndodhej vetëm një krevat suste, si në Shqipërinë e mëparshme dhe një dyshek sfungjeri i pistë pa çarçaf, thjesht një copë sfungjeri i vjetër. Në fyt m’u bë një lëmsh, s’dija si të mbaja lotët. I thashë faleminderit personit që më shoqëroi, i cili para se të ikte më dha një qese ku ishte darka ime.

Mbylla derën dhe qava lirshëm. Në qesen time të bukës ishin në fakt vetëm dy feta bukë dhe dy feta djathë gjerman. Në atë moment, s’mund të haja asgjë, sado të ishte.

Isha vetëm unë, në një dhomë boshe, pa asnjë mundësi për të komunikuar qoftë dhe me familjen sepse karta shqiptare m’u bllokua. Atë natë nuk fjeta, as nuk bëra dush sepse s’kisha çelës dhe kisha frikë.

Prita të zbardhej, mora çantën dhe ika në punë. Atë ditë pata një tjetër takim me shefen dhe i thashë të më priste një biletë kthimi për në Tiranë. Normalisht, ajo nuk pranoi, më premtoi që do të rregullonte gjërat dhe më dha një nga dhomat ku qëndronin të moshuarit. Ishte diçka më mirë.

Kaluan ditë deri kur unë arrita të gjej një shtëpi tjetër. Gjysma e rrogës shkonte për të paguar qiranë.

Punoja njësoj me gjithë kolegët e tjerë, madje më shumë sepse isha e huaj dhe çdo punë kalohej nga unë e s’dija të thoja jo. Çdo muaj paguaja edhe borxhin që i detyrohesha kompanisë që në fillim i ofronte shërbimet ‘falas’.

Pas disa muajsh vuajtje, ku s’kisha më as fuqi të ushqehesha, ku shihja se paguhesha gjithnjë e më pak, dhashë dorëheqjen. Me ndihmën e një mikeshe gjermane aplikova për një tjetër punë, kësaj here në spital. Kur fitova vendin e punës, kompania shqiptare filloi të më kërcënonte. Vendosa të mos i dëgjoj.

Tashmë, prej një viti kam një punë më të mirë, kam arritur të përshtatem dhe të krijoj diçka për veten. Shqipëria më dhemb në zemër njëlloj si ditën kur ika.”

Dërguar në Revista Anabel në Facebook nga një grua anonime.

Artikuj të ngjashëm