Ç'lloj ngrënësi je?

 Read in English

Ju kërkojmë vetëm një gjë: tregohuni të sinqertë me veten, ndajeni mendjen se ç’lloj ngrënësi jeni dhe për të tjerat mendojmë ne.

I ngadalti

Njerëzit që nuk nxitojnë aspak për të përfunduar pjatën e tyre karakterizohen nga dëshira e shijimit të çdo momenti absolutisht fare pa ngut. Një model të tillë ndjekin edhe në punë apo në jetën personale, ku shpesh humbin sensin e kohës. Ky stil jetese le të themi që i tërbon fare punëdhënësit pasi personit në fjalë i duhet shumë kohë për të përfunduar një detyrë e për të kaluar më pas te tjetra.

Gllabëruesi

E dimë shumë mirë si shkon kjo punë. Nuk përtypesh fare, thjesht merr ushqim e fut në gojë dhe puuuufff gjithçka zhduket në pak sekonda. S’ju shpëton gjë dhe mundësisht mbaroni gjithçka përpara afatit të caktuar. Keni shpirtin e konkurrencës, dëshironi të jeni kudo dhe të bëni gjithçka. Fokusoheni kaq shumë pas shlyerjes së detyrimeve sa harroni të kujdeseni për veten.

Përzgjedhësi

Pyet për çdo gjë: po kjo pse kështu, mund t’i shtoni menusë pak ashtu. Të tillë persona janë shumë rehat brenda rrethit të tyre të sigurisë ndaj duan të kenë gjithçka nën kontroll në momentin kur e papritura u del përpara. Kanë frikë nga dështimi, nuk ndërmarrin rreziqe, janë të etur për dije, s’ngurojnë të pyesin dhe duan të dinë gjithçka!

I fiksuari

Një gjë nuk e kapërdini dot: të bashkohen salcat me bukën, apo sallata me gjellën. Jeni shumë të pastër, të fiksuar pas rregullsisë dhe e urreni rrëmujën. Shqetësoheni jashtëzakonisht shumë kur situata nuk shkon ashtu siç ju e kishit paramenduar, ndaj është koha të bëni ca kompromise për hir të shëndetit.

Shkatarraqi

Ndryshe nga grupi i mësipërm, ju se keni problem t’i fusni domatet, patatet, qepët dhe mishin në një pjatë. Ku është problemi fundja? Ushqim për ushqim! E gjitha kjo tregon se jeni miqësorë dhe merrni përsipër përgjegjësi të mëdha. Krijoni marrëdhënie të shëndetshme, jeni të zellshëm, pozitivë dhe i merrni gjërat lehtë.

Spontani

Nëse për çdo herë që shkoni në restorant synoni të porosisni pjatën më unike dhe të çuditshme dijeni se kjo tregon shumë. Jeni aventurierë, ju tërheq rreziku dhe dështimi është gjëja e fundit që ju shkon ndërmend. Edhe në ndodhtë, punë e madhe. Karakterizoheni nga humori, energjia dhe idetë e reja. Një çmenduri në horizont? Jeni të parët që shkoni drejt saj!

Përsëritësi

Përgjithësisht të ngrënit një ushqim specifik gjithmonë është tipar i njerëzve të suksesshëm. Ata kanë vënë re x detaje në një pjatë dhe s'pranojnë të konsumojnë gjë tjetër. Kërkojnë cilësi, e kanë gjetur dhe refuzojnë çdo ofertë tjetër.

Zhurmuesi

Nëse ka diçka që na acaron ne pjesës tjetër të njerëzimit është mbllaçitja. Kushdo që përtypet gjithë zhurmë apo flet me gojën hapur është tepër social dhe moskokëçarës. Nuk i intereson se si duket apo ç’po mendojnë të tjerët. Nuk para shqetësohen për vogëlsira, janë rehat me veten dhe gjithë vetëbesim.

I përkushtuari

Besojmë ju ka rastisur në jetë dikush që e përgatit dhe ha vaktin me përkushtim e dashuri. Doni të dini ç’thuhet për ta? Janë vizionarë, kanë aftësi organizative, ëndërrimtarë të mëdhenj dhe plot aspirata për të ardhmen. Jetojnë brenda flluskës së tyre gjithë ideale dhe s'pranojnë të bëjnë kompromise.

I pangopuri

Është e pamundur të hash diçka nën prezencën e tyre dhe të mos kërkojnë ta provojnë pak. Priren të kenë një sjellje mbytëse, superiore dhe urdhëruese ndaj të tjerëve, kërkojnë ta kenë diçka tani, në këtë omnet dhe nuk janë mësuar t’u thonë “jo”. Ndonëse pak egoistë janë të sjellshëm dhe të dashur me të tjerët.

Racionali

Vetëm pse ju kërkojnë të provojnë pak ushqimin tuaj dhe refuzoni, ju konsiderojnë të poshtër e të pasjellshëm në kulm. Në fakt ju thjesht i ndani ca gjëra: ai është vakti juaj, ju hahet dhe s’doni t’jua prekë njeri. Jeni të drejtpërdrejtë, me ju s’ka fjalë dhe ndyshe nga ne të tjerët, s'bëni asgjë për hir të mirësjelljes. Fundja, kush do vërtet ta ndajë ushqimin?

Artikuj të ngjashëm