Në altar, në vend të betimeve, kjo nuse lexoi mesazhet e të fejuarit tradhtar

 Read in English

Një nuse australiane u kthye në legjendë kur ditën e dasmës, pasi zbuloi se i fejuari e kishte tradhëtuar, lexoi mesazhet inkriminuese në altar në vend të betimeve.

Gruaja, e cila zgjodhi të mbetej anonime, tregoi historinë e saj për Whimn, një faqe australiane. Ajo e zbuloi të vërtetën për të fejuarin e saj – të cilit iu referua me nofkën “Alex” – një natë para dasmës. Ajo dhe shoqet e saj po festonin në një dhomë hoteli kur papritur i vjen një mesazh nga një numër që nuk e njihte. “Unë s’do martohesha me të. Do të martohesh ti?” shkruhej në mesazhin që u pasua nga screenshot-e të mesazheve që Alex kishte këmbyer me një grua tjetër – muaj, ditë më parë.

“Do të doja që e dashura ime të kishte aftësitë e tua,” i shkruante ai në një mesazh. “S’kam përjetuar kurrë një lidhje të tillë më parë.”

“Çdo fjalë ishte si thikë në zemër dhe dasma niste për pak orë,” tha gruaja për Whimn. “Si mund ta anulloja kur gjithçka ishte paguar dhe njerëzit kishin udhëtuar për të ardhur aty?”

Ajo nuk e anulloi dasmën, por vendosi të hakmerrej. Kur erdhi momenti, veshi fustanin e bardhë, mori buqetën në duar dhe eci drejt altarit teksa të gjithë po e shihnin. Sidoqoftë, kur arriti në altar, u kthye me fytyrë nga turma dhe zbuloi se dasma nuk do të mbahej.

“Mesa duket Alex nuk është ai që mendoja se ishte,” tha ajo para se të lexonte mesazhet inkriminuese në sy të të gjithë të ftuarve.

“Me çdo fjalë që lexoja, aq më shumë zbardhej në fytyrë Alex,” tha gruaja. E pashë me sy të përlotur dhe s’më tha asgjë. Doli nga kisha kokëulur, me shokun e ngushtë pas vetes. Familja e tij thjesht na pa, të tmerruar.”

Festa pas ceremonisë nuk shkoi dëm ama. Nusja dhe shoqet e saj vendosën të festonin në nder të “ndershmërisë, dashurisë së vërtetë dhe të dëgjuarit të zemrës, edhe kur të dhemb.”

Artikuj të ngjashëm