KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Për mendimin tonë

Zonja ministre, ne nuk meritojmë të mbesim injorantë!

21 Nëntor 2018

Unë e përkrah dhe e vlerësoj nismën e fundit, #Lëvizja Kombëtare për Lexim, që pavarësisht se më tepër bëri bujë për shkak të fjalorit të përdorur në një nga postimet në Twitter, të paktën shërbeu për diçka. Megjithatë, përpos efekteve pozitive që mund të ketë në dukje, në thelb është një nismë deri-diku shterpë dhe arsyet ju i dini më mirë se unë.

Mesiguri që ju ka rastisur të lexoni se, bazuar në një studim të publikuar nga INSTAT, 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër vitin e shkuar. Pra, më shumë se 1/3 e popullsisë nuk ka prekur asnjë libër me dorë.

Me të drejtë do të thoni “Pikërisht, prandaj nisëm fushatën #Lëvizja Kombëtare për Lexim”, por a e keni menduar ndonjëherë ju dhe gjithë institucionet e tjera përkatëse se cila qe arsyeja? Pse përpiqeni të luftoni pasojën, kur e vetmja gjë që duhet të bëni është të ktheni sytë nga shkaku?!

Zonja ministre, a nuk mendoni edhe ju si unë, që për shembull të rinjtë e Durrësit do të lexonin më shumë nëse në fondin e bibliotekës së qytetit do të gjendeshin më shumë tituj dhe kushte të përmirësuara. Referuar investigimit të “Fiks Fare”, sot me zor po “mbijetojnë” mes lagështirës dhe ambjenteve të mjerueshme.

A nuk mendoni vallë edhe ju si unë, që të rinjtë në Pogradec dhe jo vetëm, do të lexonin shumë më tepër, nëse këto 8 vitet e fundit dikush do të kujtohej të dërgonte një libër të ri?

A mund të biem në një mendje kur themi se banorët e Vlorës ndoshta do të kishin më shumë libra nëpër duar në qoftë se këto vitet e fundit nuk do të humbisnin 5000 tituj për shkak të përmbytjeve në bibliotekë?

Qofsha gabuar, por a nuk ju duket absurde që Biblioteka Kombëtare, që ka shumë më tepër fonde se bibliotekat e tjera, sërish është dëmtuar sa në njërin vit e sa në tjetrin; herë më shi e herë me zjarr.

Paçka se Faik Konica pati të drejtë kur shkruante dikur se “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhet të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët!”, unë sërish refuzoj të pranoj idenë se ky vend nuk bëhet.

Po ashtu refuzoj të mendoj, anipse diçka thellë brenda meje më dikton të kundërtën, se “çdo popull ka qeverinë që meriton”. E drejtë, se mbase ne nuk e ngrejmë zërin kur është nevoja. Mbase jemi shumë më të duruar seç duhet...

Megjithatë, për ta përmbyllur, unë mendoj se ky problem është po aq i rëndësishëm sa “njerëzit nuk kanë bukë të hanë”. Prandaj, ne nuk meritojmë të mbesim injorantë për hir të disa taktikave të gabuara.

Ndryshimi fillon nga vetja, andaj ju premtoj që një nga një milion shqiptarë do ta bind unë të lexoj një libër. 999,999 të tjerët janë përgjegjësi e juaja.

Sindi Salaj
Gazetare

MOS I HUMBISNI