Shtëpia e famshme italiane e modës, Dolce & Gabbana ka zemëruar mbarë Kinën! Marka është akuzuar për shfaqje racizmi pasi në 3 reklamat e publikuara së fundmi shfaqet një vajzë kineze të cilët i thuhet se si të përdori shkopinjtë.
Seria e videove me titull “Të hash me shkopinj” nis me një grua e cila ka përpara një pjatë spageti dhe në sfond një zë burri që i thotë asaj ç’duhet të bëjë hap pas hapi.
Menjëherë pasi janë postuar në Instagram dhe Twitter, shumë njerëz kanë reaguar të revoltuar duke thënë se kjo është ofenduese për popullin kinez. Debati është bërë edhe më i ashpër në Instagram, ku vetë Stefano Gabbana është përfshirë në konflikt.
Ndërkohë që njëra prej vajzëve i thotë që fushata e zgjedhur ishte shumë ofenduese për kinezët përgjigjen e tij të dhënë në inbox-in e Instagram-it do ta gjeni më poshtë:
“Çfarë mendon se është raciste në atë video? Ti mendon se ne jemi budallenj të vimë në Kinë dhe të postojmë një video të gabuar? Nëse kinezët ndihen të ofenduar nga një vajzë që ha picë ose pasta me shkopinj do të thotë se thjesht ndiheni inferior. Kinezët hanë me shkopinj, perëndimorët me pirunj dhe thika. Ky është racizmi?S’jeni rehat me trurin tuaj! Pra edhe ju jeni racistë sepse hani qentë? E gjithë bota e di sjelljen tuaj kundrejt qenërve. Dhe këtu ju jeni shumë më racistë se ne. Ne i duam qentë dhe jetojmë me ta.”- përgjigjet dizajneri i cili nuk kaloi shumë dhe postoi një foto në llogarinë e tij të Instagramm-it ku thoshte se i kishin vjedhur profilin.
Debati është nxehur edhe më, aq sa Gabbana shprehet se tani e tutje në çdo intervistë që do të japë do të thotë që Kina është shteti i m***t.
Pas gjithë kësaj, sfilita “The Great Show” e D&G që do të mbahej ditën e mërkurë në Shanghai është anulluar nga vetë zyra e çështjeve kulturore në Shanghai.
Ndërkohë dhe pse provat tregojnë të kundërtën, llogaria zyrtare e markës italiane, përmes një postimi kërkon ndjesë për gjithë çfarë ndodhi.
“Instagrami ynë është vjedhur. Po ashtu dhe ai i Sftefano Gabbana-s. Zyra jonë ligjore po heton. Na vjen shumë keq për gjithë postimet e pautorizuara. S’kemi asgjë tjetër përveçse respekt për Kinën dhe njerëzit e saj!”