Pesë ditë më parë, Taulant Muka hoqi dorë nga posti i zv. Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nuk vonoi shumë dhe shkoi në studion e Beti Njumës për të treguar se çfarë nuk shkonte, me pak fjalë të gjithë absurditetet e mundshme të një posti dhe zyre shqiptare, nga mungesa e dokumentacionit te letrat higjienike. Çfarë ndodhi? Absurditeti i radhës- njerëzit iu hodhën në grykë Mukës, njerëz aspak të rëndomtë madje.
Kozeta Kurti thuri një letër ku ironizoi këtë punën e topthave higjienikë. Hallin te letra e kemi në fakt- ishte filozofia e Kurtit. Të më ndjeni, po pse nuk e kemi? Është e çuditshme në fakt; çdo herë që përpiqesh të flasësh për gjëra madhore argumenti se ne pikë së pari çalojmë te gjërat bazë është gjithmonë gati, por kur kthehesh ama dhe merresh me këto të fundit, konsiderohen tepër banale dhe të parëndësishme për t’u përfolur. Jemi ne që nuk zëmë në gojë tualetet dhe po ne që pretedojmë të flasim hapur rreth seksit apo abuzimeve.
Pa mendojeni pak: nëse nuk gjen letra në tualetin e ministrisë, sa shanse ke të gjesh në spitale apo banjo publike? Çfarë i irritoi kaq shumë njerëzit me Taulant Mukën? Që në vend të shpjegimit pompoz rreth shkaqeve të dorëheqjes zgjodhi argumenta banale si mungesa e telekomandës? Ç’rëndësi ka nëse e gjitha kjo qe një show, nëse Muka e përdori gjithçka për pak famë; ç’rëndësi ka nëse ish- zv.ministrit i plas vërtet për këtë vend apo është thjesht një hipokrit që fshihet pas një njeriu, në dukje plot vlera e parime. Lëreni Mukën të qetë, s’është ai problemi.
Kemi përballë dikë që me zë e figurë tregon se si e ndaluan të fuste hundët aty ku duhej dhe si veprojmë ne? Godasim personin në fjalë duke e cilësuar hero të rremë.
“Por nëse tërhiqemi, kujt do t’ia lëmë në dorë të rinjtë, universitetin, Shqipërinë. Në të vërtetë, heronjtë e heshtur e të urtë janë aty, në universitet!” shkruan një ish- pedagogia ime. Pra në gjithë këtë, disa nga ne menduan se nëse ia vlen të shkruash për këtë histori, ajo është dorëheqja e Mukës.
Seç kemi një tendencë për t’u treguar hetues pikërisht atëherë kur s’duhet, besomëni s’është nevoja. A mundemi ta lejojmë veten të jemi naivë ndaj një shembulli të mirë, sado i vërtetë ose jo qoftë ai? Si rrallëherë ndodh, rasti Muka frymëzoi të rinj shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Në një periudhë aspak optimiste për Shqipërinë, Taulanti na tregoi se nëse je i përgatitur dhe guxon, mund të bëhesh zv. Ministër. M-E-R-I-T-O-K-R-A-C-I . Pa e vrarë shumë mendjen se ç’prapaskena u fshehën pas atij posti, a nuk ishte ky modeli që kërkonim lart e poshtë në biseda e studio televizive?
Bota jashtë përpiqet të kapet pas figurave e shembujve pozitivë, pa u hyrë kritikave; përkundrazi i përdor për të ecur përpara e për t’u frymëzuar. Pse nuk bëmë të njëjtën gjë me Mukën? Pse thamë 1 mijë e 1 të zezat për dorëheqjen e tij, kur mund “ta shisnim” si të riun që s’pranoi të bënte pakt me djallin dhe kundërshtoi të pajtohej e të bëhej si gjithë të tjerët. Ju mendoni se heronjtë e historisë s’kanë dritë hijet e tyre? Kanë, por njerëzve, popullit i duhen heronjtë. Njëri që ishte apo u soll si hero e kryqëzuam me çfarë mundëm. S’ditëm të nxirrnim moralin, s’ditëm t’i gënjenim njerëzit me pak shpresë. Jemi të gatshëm të merremi me çdo problem të mundshëm, vetëm me thelbësorin jo. Ndër të tjera Kurti shkruan:
“Gjithashtu z.Kryeministër jam shumë e zënë duke u marrë me angazhimet e mia për t’u futur nën të brendshmet e të tjerëve për të “spiunuar” punimet e tyre shkencore. Me këtë nuk po them se i justifikoj “hajdutët” e tezave, porse thjesht, po shpreh një mendim që vetëm ata që e kanë kohën me pash’, kanë luksin të survejojnë.”
Më kuptoni tani ç’dua të them? Dikush denoncon një plagjiaturë dhe si përfundim ironizohet se e ka kohën me pash dhe ka luksin të survejojë. Ashtu? Ja që sa mirë pati kohë të futej nën të brendshme e të nxirrte një të vërtetë. Mund të ishit kapur fort pas tij e të ekzaltoheshit siç bëni me çdo të huaj që kundërshton dhe revoltohet, sado i përlyer ose jo qoftë. Jepini hapësirën rinisë të besojë se ka ende të tillë shembuj në Shqipëri, sado i gënjeshtërt ose jo qoftë. Lëreni të qetë Mukën, s’është ai problemi. Do të shkojë ndoshta ashtu siç erdhi, krejt papritur, por nuk qe ai problem ynë. Të paktën jo ai për të cilin duhet të ishim ulur e të flisnim sot!