Bandat shqiptare “të sofistikuara” të lidhura me trafikimin e njerëzve janë rritur së tepërmi në Britani dhe për këtë arsye Sky News është marrë me disa nga rastet më të tmerrshme të trafikimit të njerëzve, në një kohë kur shifrat rriten dita-ditës.
Statistikat e fundit nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani (NCA) tregojnë se ka një rritje prej 35% të njerëzve të trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar, shumica nga Shqipëria.
Gazetarët e Sky News takuan 15 viktima në një qendër në qytetin e Vlorës, i cili konsiderohet një “vatër e nxehtë” për rrjetin e trafikimit në vend.
Të rrahura gjatë shtatzënisë për të abortuar fëmijët, të mbyllura dhe të përdhunuara nga burra të shumtë – rrëfimet e tyre janë tronditëse.
Besjana, një ndër viktimat e trafikimit, ishte në të njëzetat e saj kur mbeti shtatzënë. Ajo rrëfen se kjo gjë u konsiderua si turp në familjen e saj dhe u dhunua barbarisht nga nëna dhe i vëllai.
“Ata më gjuanin në bark në mënyrë që të humbisja foshnjën...isha vërtet shumë keq, pasi mund ta humbja fëmijën nga momenti në moment”, thotë ajo.
Pasi u largua nga shtëpia, Besjana përfundoi në duart e një bande që trafikonte njerëz nga Shqipëria në Itali dhe më pas u detyrua të punonte si prostitutë për 18 muaj në Britaninë e Madhe.
Ajo shton se “kjo gjë ndodhi që ditën e parë kur mbërritëm në shtëpi. Ai [trafikanti] më tha se duhet ta bëja duke më kërcënuar se në të kundërt, unë dhe fëmija im nuk do të shpëtonim.”
Besjana arriti të largohej, por të tjerat përfunduan duke u shitur bandë më bandë në të gjithë Europën, sidomos në Britani.
Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) thotë se numri i viktimave të mundshme të trafikimit u rrit nga viti 2016 – 2017 me 5,145 raste.
Shumica e viktimave të huaja janë nga Shqipëria, të trafikuara nga rrjeti i bandave kriminale që i shesin ato si mallra. Zv.drejtori i NCA-së, Tom Dowdall shton se këto grupe janë “poli-kriminale”, të përfshira njëherësh në disa aktivitete të paligjshme.
Një tjetër vajzë ra pre e mashtrimeve, pasi iu premtua një martesë e rreme. U shit si prostitutë në Europë, por për fat të mirë po merr ndihmën e duhur në Britani, ndërkohë që trafikantët e saj nuk janë kapur ende.
“Pas dy muajsh, ndërkohë që priste që unë të shërohesha, sillte në shtëpi burra, miq, nuk e di çfarë ishin, e kapa veten të mbyllur në atë shtëpi...shumica prej tyre ishin veçse kafshë që përpiqeshin të kënaqnin veten,” shprehet ajo.
Sipas Sky News, gratë shqiptare janë gjithnjë e më të shënjestruara nga bandat e trafikimit, gjë që ndodh edhe nëpërmjet rrjeteve sociale, përveç martesave. Një pjesë e tyre hapin llogari ku kërkojnë kamariere apo parukiere, punë këto që nuk ekzistojnë.