Pasi solli në jetë fëmijën e përdhunuesit në një banjë në Salvador, një viktimë përdhunimit përballet me 20 vite heqje lirie për vrasje të mbetur në tentativë.
Imelda Cortez, 20 vjeçe, vjen nga një familje e varfër në periferi në San Miguel. Që prej prillit të 2017-s, ajo është nën arrest pasi solli në jetë një vajzë, babai i të cilës është njerku i saj abuziv.
Cortez u dërgua me urgjencë në spital pasi e ëma e gjeti në dhimbje të forta dhe të gjakosur. Mjeku i urgjencës dyshonte se e reja kishte kryer abort dhe telefonoi policinë. Autoritetet e gjetën foshnjën shëndoshë e mirë.
Cortez është abuzuar nga njerku i saj 70-vjeçar që kur ishte 12 vjeçe dhe tha se nuk e dinte që ishte shtatzënë. Foshnja mbijetoi, por Cortez u akuzua për vrasje të mbetur në tentativë, iu mohua gjykimi në liri dhe u burgos pas një jave në spital.
“Kjo është padrejtësia më skandaloze, më ekstreme ndaj një gruaje që më kanë zënë sytë,” tha Bertha María Deleón, një prej avokateve të Cortez. “Shteti ka dhunuar disa herë të drejtat e Imelda-s si viktimë; ajo është shumë e dëmtuar, por s’ka pranuar këshillim psikologjik.”
Aborti është i jashtëligjshëm në Salvador, pavarësisht rrethanave dhe si rrjedhim, gratë po persekutohen agresivisht.
Si Cortez, shumica janë të varfra, nga periferia, të dënuara mbi “prova” si abort spontan ose lindje e vdekur e fëmijës. Në disa prej rasteve, gratë nuk kishin dijeni mbi shtatzëninë.
Ky model persekutimi që shënjestron një pjesë të caktuar të popullsisë nxjerr në pah politikat diskriminatore që dhunojnë një sërë të drejtasht ë njeriut, sipas Paula Svila-Guillen, drejtore e Latin America Initiatives në Women’s Equality Center me bazë në New York.
Rasti i Cortez ilustron mënyrën në të cilën ligji kriminalizon viktimat.
Teksa Cortez ishte në spital, njerku e vizitoi dhe e kërcënoi se do të vriste atë, motrat dhe nënën e saj nëse raportonte abuzimin. Një pacient në afërsi dëgjoi bisedën dhe njoftoi autoritetet.
Në fillim, prokurorët akuzuan Cortez se e shpiku abuzimin për të justifikuar krimin e saj, deri kur një test ADN vërtetoi atësinë e fëmijës. Njerku i saj s’është akuzuar ende për asgjë.
Gjyqi ndaj Cortez nis sot dhe vendimi do të merret nga tre gjyqtarë brenda javës.
Një vizitë psikologjike nxorri në pah se viktima vuan nga mangësi njohëse dhe emocionale, që përkojnë me abuzimin dhe traumën. Sidoqoftë, Cortez nuk ka qenë nën kujdesin e një psikologu në 18 muajt që është mbajtur në paraburgim dhe s’është lejuar ta prekë të bijën.
Aborti u kriminalizua në El Salvador para 21 vitesh nga ligjvënës nga të dy anët e spektrit politik. Shpresat janë shuar për lejimin e abortit në rastet e përdhunimeve, trafikimit njerëzor, ose kur fetusi s’ka shanse mbijetese a është në rrezik jeta e nënës.
Burimi: The Guardian