Për kuriozitet më shumë: VIP-at shqiptarë që kanë fobi avionin

 Read in English

Duke qenë se fati na ka përkëdhelur dhe jetojmë në epokën e internetit, na lejoni t’ju prezantojmë (a thua se i kemi shpikur ne si terma): acrophobia dhe aviophobia. Përkatësisht, fobia nga lartësitë dhe fobia nga avioni. Këto dy ndjesi ekstreme të frikës në një pjesë të mirë të rasteve janë e njëjta gjë; pra dikush që ka fobi lartësitë, ka fobi edhe avionët. POR, nuk mund ta përgjithësojmë (thënë kjo nga dikush, në këtë rast unë, që ka fobi lartësitë, por s’i ka problem fare avionët).

Tani i lëmë këto termat e mërzitshëm dhe të panevojshëm dhe kalojmë tek VIP-at shqiptarë që e kanë tmerr fluturimin me avion.

Aulona Musta

“Unë do të kisha udhëtuar shumë më shumë nëse nuk do të kisha fobi avionin. Kur vajta në Kubë piva xanax. Fjeta, megjithëse as ai nuk më bëri efekt. I kam shumë tmerr. Kam një udhëtim për të bërë dhe nuk arrij dot të gëzohem sepse mendoj gjithë kohën për avionin,” tha ajo në rubrikën “Flakë Fare” në Pop Culture.

Eranda Libohova

“Isha e ftuar në një koncert që do të zhvillohej në Amerikë dhe pasi e përfundova me sukses, do të kthehesha në Tiranë. Bënte kohë e keqe atë ditë. Frynte erë, kishte turbulenca dhe avioni pati disa luhatje të tmerrshme. Në ato çaste më kapi paniku, më nisi aritmia. O Zot, kur e sjell ndërmed më ngjason me një film horror. Ky episod më bëri t’i urreja avionët, madje më janë kthyer në fobi,” u shpreh Eranda në një intervistë për revistën “Psikologjia” në 2010-n.

Arkimed Lushaj (Stresi)

“Lartësitë nuk i dua, i kam fobi. Në Itali do të iki me makinë jo me avion se është kohë e keqe. Gjithashtu avionin e kam shumë frikë. Po e them për herë të parë këtu, përveç Zotit kam frikë avionin,” tha reperi në një intervistë për “Chic” në News24.

Çiljeta Xhilaga

2 vite më parë qarkulloi kudo një video e Çiljetës që shihej e tmerruar gjatë kohës kur avioni niset nga toka për në fluturim (videoja nuk gjendet më në internet).

Sinan Hoxha

Për shkak të disa incidenteve, Sinani është i radhës që i ka tmerr avionët. Mirëpo pavarësisht fobisë, i duhet të udhëtojë shpesh për shkak të punës.

Juliana Pasha

“Fobia ime më e madhe ishte avioni, pasi nuk më pëlqejnë lartësitë. Avionin e kalova tashmë si fobi, por mbeten ende lartësitë.”

Renis Gjoka

“Kjo është një fobi shumë e madhe, e cila nuk besoj se do të më zhduket ndonjëherë, pasi dita-ditës më shtohet gjithnjë e më shumë. Është një frikë që ka lindur spontanisht. Aq shumë më është shtuar kjo frikë saqë tani jam detyruar që rrugët që kam pasur për të përshkruar me avion, i kam transferuar në linja trageti, apo automobilistike.”

Xhani Shqerra

“Më shumë se fobi do ta quaja patologji këtë timen pasi janë dy në një të vetme dhe me kalimin e kohës janë bërë shumë serioze për jetën time sociale dhe profesionale. Vuaj nga aviofobia dhe klaustofobia. Më praktikisht, të udhëtarit me mjete fluturuese të vogla siç mund të jetë një avion turistik, një jet, helikopter, apo edhe thjesht një teleferik! Ndaj, përpara çdo udhëtimi sigurohem mirë për "përmasat" e mjetit të udhëtimit. Jam i vetëdijshëm se kur ndodhesh në lartësi diferenca mes tyre është baras me zero, por përndryshe s'do të quhej fobi.”

Ramadan Krasniqi (Dani)

Frikën e këngëtarit nga Kosova nuk do ta kishim zbuluar në rast se menaxheri i Gjikos nuk do të postonte këtë foto në InstaStories një vit më parë. Dani shihej duke u lutur gjatë udhëtimit. Sa keq që i duhet të udhëtojë shumë.

Tani – nisur nga fakti që disa prej jush mund ta kenë fobi avionin – ja disa këshilla të vlefshme për të normalizuar frikën:

-përdorni imagjinatën gjatë udhëtimit; mendoni sikur nuk keni në avion, sikur po punoni etj.
-ndajeni shqetësimin me dikë që keni afër (sidomos nëse është mik ose i afërt). Kjo gjë do t’ju bëjë më të guximshëm.
-mos pini alkool, mos pini ilaçe kundër ankthit, mos kërkoni të dilni menjëherë. Këto sjellje ju rrisin akoma më shumë ndjenjën e ankthit. Merrni frymë thellë dhe përqëndrohuni.
-pranojeni frikën tuaj, bindeni veten se mund ta përballoni, përsërisni vazhdimisht që do t’ia dilni.
-argëtoni veten, lexoni një libër, zgjidhni ndonjë fjalëkryq etj.
-nëse asgjë nga këto nuk funksionon, bëni terapi kundër fobisë ose vërini gjërat në peshore, ndoshta udhëtimi mund të kryhet edhe pa avion fare.

Artikuj të ngjashëm