Historitë tuaja: Dashuroj dikë që s'është im shoq dhe jetoj e zhytur në faj

 Read in English

Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.

Jam e martuar prej 5 vitesh dhe kemi një djalë të vogël. E dashuroja tim shoq, por gjithçka u thye kur mësova se pati një histori me kolegen e tij të punës. Nuk e di, asgjë s’ishte më njësoj. Gjithçka u thye brenda meje dhe ndonjëherë mendoj se rrimë bashkë vetëm për hir të tim biri. Të them të drejtën, s’e kam menduar kurrë tradhtinë as si hakmarrje, as si shpëtim.

Çfarë kuptova nga historia ime është se paragjykimet nuk kanë vlerë kur askush s’e di në çfarë rrethanash, situatash apo ndjenjash po lufton personi tjetër. Dhe më besoni, pasi këtë e thotë një grua e cila përveçse idealiste, gjykonte sa herë në ajër flitej për tradhti apo qoftë edhe flirte jashtë çiftit.

Çfarë kam pasur frikë gjithmonë, më ndodhi mua. Rashë në dashuri! Rashë kokë e këmbë në dashuri me atë që s’ishte im shoq dhe s’do të ishte kurrë. Ashtu si unë edhe shefi im ishte i martuar. E di që shumica juaj sa lexuat se bëhej fjalë për “shefin” më vutë ndonjë “damkë” nga këto tipiket duke menduar se është historia klasike e “dashnores së shefit”. Nuk ishte kështu.

E  dashurova që në bisedën e parë, por kurrsesi s’ja pranova vetes. Në mendje më vinte im shoq dhe pavarësisht pabesisë së tij, unë s’mund të mendoja të tilla gjëra. S’mund të doja një tjetër njeri. Mbi mua rëndonte një faj edhe më i madh. Isha nënë. Në mendjen time, një nënë s’mund të dashurojë kurrsesi dikë që nuk është babai i fëmijës së saj. Do të më bënte të pandershme, një nënë të keqe. Të gjitha këto ngarkesa në mendjen time më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës, derisa para meje shfaqej ai.

Jam ende në një moshë fare të re dhe këtë s’po e përdor si justifikim, por  të paktën nga eksperienca ime, vendime të tilla si martesa apo një fëmijë, nuk duhen marrë kurrsesi në rininë e hershme. Për të mirën e të gjithëve.  Po ua them unë! Gjëja e fundit që doja ishte të tradhtoja, por çfarë ndjeja ishte kaq e pastër. S’kisha asnjë qëllim negativ  në mendjen time apo plane se ç’do të bëja më pas.

Jetoja mes ndjenjës së fajit dhe asaj ndjenje që s’duhej ta ushqeja kurrsesi. Mëkatova, por s’llogarita kurrë asgjë. Nuk e them këtë për të zbutur gabim tim, pasi në fund të të gjithave, tradhtova veten dhe parimet e mia, por ishte e vërteta ime. Duhet ta pranoja. Dashurova njeriun e pamundur dhe jetoj e zhytur në faj, brengë dhe në pritje të diçkaje që s’mund të më përkas plotësisht mua...

Tjetër letër që mund të lexoni: Pasi humba fëmijën, ish-e dashura e tij më bëri surprizën më të hidhur

Artikuj të ngjashëm