Në ka gjë që më sos durimin më shumë se të pres të tjerët të bëhen gati, janë shenjat e akneve. Të gjithë ata që kanë patur ose kanë të tilla probleme në adoleshencë, e dinë shumë mirë për çfarë po flas.
Ndonjëherë mendoj se janë pjesë e planit të universit për të më shndërruar në një njeri më të duruar, por vetëm kam fituar superfuqinë për të harxhuar para pa ditur ç’blej!
Pas shumë kërkimesh dhe eksperimentesh gjeta acidin azelaik (më pëlqen ta quaj llampa e Kikit, pasi m’i plotëson të gjitha dëshirat).
Nëse ndryshimet atmosferike e kanë bërë lëkurën më të ndjeshme, zgjidhja është acidi azelaik. Nëse rosacea (skuqje e lëkurës) po shfaqet në horizont, sërish e dini ku të drejtoheni. Nëse jeta po merr të tatëpjetën, por gjithçka të intereson vërtet është të zhdukësh shenjat e akneve dhe lëkura të shkëlqejë...epo e dini, acidi azelaik.
E kuptoj shumë mirë që fjala acid të fut të drithurat, lëre pastaj ta aplikosh në fytyrë. Por, në doza të kontrolluara (10% për përdorim shtëpiak dhe 15-20% të rekomanduar nga mjeku), ju premtoj që do të kthehet në një ndër ato produktet pa të cilat nuk do të jetoni dot.
Përdoreni tre herë në javë (për shembull të hënën, të mërkurën, e shtunë) pasi të keni larë fytyrën dhe ta keni tharë me një peshqir të pastër. Më pas aplikoni hidratuesin e darkës kur të ndjeni se acidi është përthithur nga lëkura. Përdorimi i kremit kundër diellit është I PANEGOCIUESHËM!
Bëni pak durim, lëkura e pastër është vetëm 14 ditë larg.
Ky artikull u shkrua nga Kristela Çoku, Beauty Blogger – 23 vjeç, themeluese e www.jepanouis.com.
Tjetër artikull që mund të lexoni: "Pa brokoli, pa lakër: Ju tregoj recetat që i japin dietës një tjetër kuptim!"