Pak ditë më parë, siç mund ta keni lexuar, mbërritën në Facebook-un e Anabel disa receta, të cilat ndjekëse të shumta i rekomandonin mbi kujdesin e lëkurës dhe flokëve. Por, nuk e lamë me aq. Nisur nga interesimi i madh për më shumë detaje mbi maskat për rritjen dhe përmirësimin e shëndetit të flokëve, vendosëm t’i pyesnim sërish disa prej tyre për më shumë detaje në lidhje me eksperiencat e tyre. Ato zgjodhën maskat e preferuara dhe i ndanë me ne.
Maskë me qepë të kuqe + mjaltë + vaj ulliri
- 2-3 kokrra qepe të kuqe
- 2 lugë mjaltë bio
- 2 lugë vaj ulliri
Përgatitja: Qepëve duhet t’u marrim lëngun duke i shtypur me diçka ose duke i shtrydhur. Pasi kemi marrë lëngun, shtojmë mjaltin dhe vajin. I përziejmë bashkë dhe e vendosim maskën në të gjithë kokën. E mbajmë për 20-30 minuta.

Maskë me birrë + banane + vezë
- gjysmë gote birrë
- 1 banane
- 1 e verdhë veze
Përgatitja: Përziejmë birrën dhe të verdhën e vezës dhe më pas shtojmë bananen, pasi e kemi shtypur në një tjetër enë më parë. Pasi të jetë bërë një masë kremoze, lyejmë kokën për 30-40 minuta.

Maskë me vaj ulliri
Përgatitja: E ngrohim vajin e ullirit derisa të jetë bërë i vakët dhe masazhojmë kokën për 15-20 minuta. Më pas e pastrojmë si zakonisht.
Maskë me vaj kokosi + vaj ulliri + vezë + qepë e kuqe
- 1 lugë gjelle vaj kokosi
- 1 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 e verdhë veze
- 2 lugë gjelle qepë e kuqe
Përgatitja: I miskojmë të gjitha bashkë dhe e aplikojmë në skalpin e kokës. Më pas e vendosim edhe në gjatësinë e flokëve. E mbështjellim kokën me një qese plastike dhe sipër vendosim një peshqir të ngrohtë. E lëmë për gati 1 orë të veprojë. Nëse larjen e bëni në mënyrë të rregullt, duke masazhuar kokën gjatë dushit, mos u shqetësoni fare për erën e qepës.

Maskë me xhel të farave të ftoit + vaj ulliri + vaj kokosi + vaj argani
- 1 lugë gjelle xhel i farave të ftoit
- 1 lugë gjelle me vaj kokosi
- 1 lugë gjelle me vaj ulliri
- 1 lugë gjelle me vaj argani
Përgatitja: I bashkojmë të gjitha dhe pasi e aplikojmë në kokë, vendosim qesen dhe më pas peshqirin e ngrohtë.