Shënim: Çrregullimi narcistik i personalitetit (Narcissistic Personality Disorder- DNP) karakterizohet nga mungesa e plotë e ndjeshmërisë. Narcisti është i paaftë të krijojë marrëdhënie sociale ku të kuptojë edhe nevojat emocionale të tjetrit.
Fëmija që rritet nga një nënë me çrregullime narcistike të personalitetit është njësoj viktimë si fëmija, prindi i të cilit abuzon fizikisht apo seksualisht me të. Prindi narcist abuzon në një mënyrë të vazhdueshme duke u shndërruar në përgjegjësin kryesor për keqtrajtimet emocionale dhe mendore të fëmijës, ndonëse parë nga një sy i jashtëm, asgjë nuk duket e gabuar. Pra për të qënë më të qartë me ju, le të themi se kemi të bëjmë me një abuzim të heshtur, të padukshëm në plan të parë.
Fëmija- viktimë shpesh kalon pa u vënë re, nuk trajtohet dhe nuk ndihmohet nga të tjerët. Shenja mbizotëruese e sjelljes së një personi të prekur me NPD (Narcissistic Personality Disorder) është pothuajse mungesa e plotë e shqetësimit për fëmijën. Për disa, ky çrregullim është një lloj “spektri”, nëse mund të shprehemi kështu, me disa shkallë sjelljesh, ku problemi reflektohet në nivele të ndryshme. Disa nëna mund ta shfaqin disi problemin ( e shtyjnë fëmijën drjt një profesioni që ai vetë nuk e dëshiron), të tjera janë eksperte në fshehjen e abuzimit dhe të afta të manipulojnë të tjerët (përfshirë këtu mësuesit, policinë, madje edhe gjyqtarët.)
Për shkak të çrregullimit, nëna as nuk do t’ia dijë për individualitetin, ambiciet apo emocionet e fëmijës. E vetmja gjë që i intereson është vetja, përmbushja e objektivave që ka. Kështu krejt papritur, mos u çudisni nëse nëna e shokut të djalit tuaj, më e dashura dhe më e përkushtuara në planet të shndërrohet në një qenie të tërbuar dhe agresive kur i biri nuk arrin rezultate e shumëdëshiruara prej saj.
Më poshtë janë renditur 4 shenja tipike të një fëmije të rritur nga një prind me çrregullimin në fjalë:
1. Fëmija fajëson veten
Në vend që të fajësojë prindin, fëmija nis të mendojë se është faji i tij që nëna nuk e do dhe kështu shpreson se duke e ndryshuar veten do të fitojë dashurinë.
2. Ndihet i padukshëm
Madhështia e prindit e ka eklipsuar fëmijën kaq shumë, sa ky i fundit rezulton se as nuk ia ka idenë kush është në të vërtetë.
3. Përshtatet kaq shumë me fenomenin e narcizmit sa ose mund të zgjedhë në jetë një tjetër marrëdhënie narcistike ose i shmang marrëdhëniet tërësisht
Keqtrajtimi, abuzimi, mungesa e ndjeshmërisë dhe sfilitjet emocionale e shtyjnë fëmijën për të kërkuar sërish të njëjtën marëdhënie në jetë, përfshihet në lidhje ku dihet i pasigurtë ose nuk u beson më njerëzve dhe braktis çdo raport me ta.
4. Narcizmi ushqen vetëbesimin e ulët, ndjesinë e fajit dhe më shumë narcizëm
Produkti i një nëne narciste, në të dyja rastet e mundshme është negativ. Ose fëmija ndrydhet dhe fshin karakterin, ëndrrat, pasionet e veta, ose merr shembull nga nëna dhe vepron njësoj si ajo ndaj të tjerëve.
Përshtatje e artikullit “How a Parent's Narcissistic Personality Disorder Affects Their Child” nga William E Krill Jr , konsulent i licensuar.