KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Vetebesimi

Letër vetes sime!

14 Tetor 2018

E dashur Vetja ime,

"Para së gjithash më lejo të të them që nuk ka problem nëse mendon se gjërat s’i ke bërë ashtu siç duhet. Kështu në rast se ke nevojë të mbushesh me frymë, të qash, të dalësh për një shëtitje apo të dëgjosh pak muzikë, vazhdo pa problem", lexova të shkruhej diku dhe pajtohem kaq shumë me këto fjalë. Vazhdo edhe ti, më ke pas vetes.

Ka shumë fjalë që nuk t’i kam thënë asnjëherë. Dua të dish se jam krenare për ty. Arrij të shoh sa ke ndryshuar, mësuar, sa shumë ke guxuar, dështuar e jetuar. S’e ke idenë sa rrugëtim i gjatë na pret, Zot sa i gjatë! E di për çfarë jam këtu sot? Për të të parë në sy, për të ndjerë drejt e në zemër me shpresën se do më dëgjosh e do marrësh forcë nga unë.

Pasi t’i shkosh në fund kësaj letre mos harro ç’do të të kem thënë. Është një botë kaq e paparashikueshme sa s’na mbetet gjë tjetër veçse të dimë të duam, të vlerësojmë dhe çdo e mirë do na ndjekë nga pas. Ka shumë pak njerëz të lumtur në këtë jetë, në fakt nuk e di nëse ka plotësisht, di ama që mundemi t’i dhurojmë vetes sa më shumë copëza të tilla. Më kujtohet ç’kam lexuar dikur. S'ka lumturi të përhershme në Tokë, ka vetëm pjesë të saj...

Zgjohu nesër në mëngjes dhe nis të jetosh ndryshe. Duaj veten, tokën që shkel, erën që të përkëdhel; hyr në kontakt me botën e gjallë dhe ndjej energjinë e jashtëzakonshme të kozmosit. Lexo, ushqeje veten me mirësi dhe ki besim. Mos rend pas një ëndrre apo qëllimi duke lënë pas javë e muaj të pajetuar, shko e qetë në udhën e jetës me besimin se do të mbërrish ku të duash.

Me dashuri,

Unë

       
Nga: Denisa Skodi
Gazetare

MOS I HUMBISNI