KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Shkencë

Kjo video është filmuar 280 milion kilometra larg Tokës

28 Shtator 2018

Dy robotë japonezë dërguan në tokë imazhe filmike nga sipërfaqja e një asteroidi në lëvizje. Misioni i këtyre robotëve është i paprecedent dhe synon të hedhë dritë mbi origjinën e sistemit diellor.

Agjencia Japoneze e Eksplorimit të Hapësirës (Jaxa) publikoi klipin 15-sekondësh, si dhe fotografi nga sipërfaqja e asteroidit. Robotët u vendosën në asteroid nga mjeti hapësinor Hayabusa2, pas një udhëtimi që zgjati tre vite e gjysmë.

Ky është misioni i parë që dokumenton dhe vëzhgon lëvizjen e një asteroidi nga afër.

Imazhet shfaqin sipërfaqjen e sheshtë dhe njëherazi të thepisur të asteroidit Ryugu. Në sfond, qielli duket i zi.

Gjithashtu, Jaxa postoi fotografi me rezolucion të lartë të sipërfaqjes së Ryugu, realizuar nga kamera e Hayabusa2. Fotot u shkrepën kur mjeti hapësinor iu afrua sipërfaqes për të lëshuar robotët.

JAXA, University of Tokyo, Kochi University, Rikkyo University, Nagoya University, Chiba Institute of Technology, Meiji University, Aizu University, AIST

Falë gravitetit të ulët, robotët mund të kërcejnë mbi 15 metra lartësi dhe të qëndrojnë në ajër për thuajse 15 minuta.

Muajin që vjen, Hayabusa2 do të pozicionojë një pajisje që do të shpërthejë në mbi asteroid dhe do të lëshojë një raketë bakri 2 kilogramëshe. Raketa do të hapë një krater të vogël nga i cili do të merren mostra materialesh të mbrojtura prej mijëvjeçaresh nga erërat dhe rrezatimi. Pritet që mostrat të zbardhin të dhëna mbi origjinën e jetës në Tokë.

Misioni u lançua në dhjetor të 2014-s dhe do të kthehet në Tokë, bashkë me mostrat, në 2020-n.

Burimi: The Guardian

MOS I HUMBISNI