Dje, u shfaq koleksioni pranverë 2019 i Gypsy Sport. Gypsy Sport njihet për dizenjot e çuditshme, lakuriqe e origjinale dhe këtë koleksion, në sy ranë çentrot (përveç gjokseve të zhveshur dhe flokëve të çmendur, sigurisht).
Si fillim, ky fustan i thurur është një çentro e madhe, ndoshta nga ato të tavolinave të mesit. Modelja e ka veshur vetëm me një palë mbathje dhe xhaketë xhins. Për plazh është ideal, ndërsa në përditshmëri, ndoshta një këmishë nate do ta bënte më të përshtatshëm.
Ndërsa ky fustani tjetër ka një çentro të qepur drejt përmes gjoksit. Tërësisht e realizueshme vetë në shtëpi, nëse keni ende ca nga dizenjot e mamit a gjyshes.
Këtë veshje procesojeni vetë, thjesht vini re çentrot.
Këmisha e bardhë me një detaj të thjeshtë të thurur aty ku duhet të jetë xhepi, mëngët e stërgjata dhe prerja e shkurtër, le të tregohemi të drejtë, e bëjnë më interesante se këmishat e bardha bazike që kemi të gjithë.
E njëjta gjë vlen dhe për pantallonat e bardha, që në vend të gjurit kanë një çentro. Një palë si këto, të lutem.