Pak ditë më parë “u vërtetua” se Luana do të jetë fytyra e emisionit gjigand në Top Channel, “Big Brother VIP”. Çfarëdolloj programi kërkon impenjim, por mesa duket, ky që ka marrë përsipër Luana është veçanërisht i vështirë.

Paraqesim provën A. Luana thotë që “s’ka kohë as për gjumë,” edhe pse në fytyrë nuk i duket fare mungesa e gjumit dhe të them të drejtën, ndihem goxha ziliqare. Moderatorja paralajmëron se diçka e madhe po vjen (lexo: Big Brother VIP).
Prova B. Të nesërmen, Luana postoi këtë foto: “Sot po xhirojmë diçka krejt ndryshe. Projekti më i madh deri më tani. S’ka kohë për pushim.”
Prova C. “Punë, punë, punë,” shkruan ajo nën këtë foto në zyrën e saj në Top Channel. E kuruar kokë e këmbë sigurisht, sepse ngarkesa në punë nuk është justifikim për të lëshuar veten. Sërish, ndihem ziliqare.
Prova D. “Më duket se jam bërë e varur ndaj punës,” shkruhet në një Boomerang realizuar pas mesnate, në një studio muzikore në Kosovë. Pasuar nga...
...prova E. “Zgjohem në 8 në mëngjes, mbaroj takimet, shkoj në Top Channel, punoj me orë mbi emisionin e ri... Nisem për në Kosovë. Punoj dhe regjistroj tre këngë të reja në studio. Kjo është pak a shumë dita ime sot [...]” shkruar në tre të natës, kur sapo kishte mbërritur në shtëpi.
Do të doja shumë të ndaloja këtu, por jo. Luana është vazhdimisht në një gjendje lodhjeje dhe pagjumësie. Prova F, nga Aeroporti i Malpensës, kur sapo kishte mbërritur për të qenë e pranishme në dasmën e Ledion Liços dhe Sara Hoxhës. “48 orë pa gjumë,” shkruhet nën të.
Meqë jemi në frymën e lodhjes dhe pagjumësisë, ja disa të tjerë që gjithashtu kanë punuar shumë këtë verë, e çdo verë: mjekët e Spitalit të Traumës, forcat policore, çdokush që punon në industrinë e turizmit, apo organizmit të dasmave, stafet e emisioneve verore, etj. etj.
Për t’iu përgjigjur titullit, na duket sikur vetëm Luana ka punuar këtë verë, sepse e thotë vazhdimisht. Dhe e kuptoj, sinqerisht. Kur lodhesh dhe bën gjëra të bukura, kërkon pak vlerësim, pak mirënjohje. Sidoqoftë, siç kanë thënë njerëz më të zgjuar se unë, fatkeqësisht s’të thotë njeri bravo, se bëre punën tënde. Ama kënaqësia që ndjen vetë në fund nuk ka të krahasuar. Mundit të Luanës do t’ia vlerë barra qiranë, dihet.