S’është se s’jam interesuar. Kur isha më e re, isha më e zonja me djemtë sesa me vajzat, por kur mbusha 12 vjeçe nisi tortura konsumuese e dashurisë së pakthyer.
S’do të isha kurrë vajza popullore në shkollë: duke qenë e mbushur dhe e ndjeshme, u ktheva në një shënjestër bullizmi. Në shtëpi, jeta ishte disfunksionale. Prindërit s’kujdeseshin për mua sepse kishin probleme me shëndetin mendor dhe varësinë. Im at ishte shpeshherë abuziv emocionalisht ndaj meje dhe sime mëje; e kuptova me kohë që më mirë të isha vetëm se sa në një marrëdhënie si e tyrja.
Fillova të krijoja miqësi në adoleshencën e vonë. U fokusova tëk shkolla, si një mënyrë për t’iu arratisur realitetit dhe i shpërfilla burrat që rrallë shfaqnin interes ndaj meje. S’e shihja si të mundshme që dikujt t’i interesoja.
Pas diplomimit, u ktheva në shtëpinë e prindërve dhe vetëbesimi im s’mund të ishte më poshtë se aq. Kërkoja pafund për një punë që të më paguante qiranë, por s’gjeja. Rrethi im shoqëror u ngushtua shumë, edhe pse jetoja në një qytet të madh.
Tani kam një punë që më lejon të jetoj vetëm dhe kam një jetë më të mirë shoqërore. Duhet të jem mirënjohëse për pavarësinë time, por kam frikë mos jam shumë vonë për të gjetur dikë. Shumë prej mikeshave të mia janë të martuara me fëmijë, ndërsa unë ndihem ende si adoleshente që ndjek djemtë pas – jo burra të rritur me dëshira të mirëfillta seksuale që s’do kenë kurrë interes për mua. Edhe nëse do të njihja dikë që ka ndjenja kundrejt meje, s’do të përputheshim seksualisht, sepse unë jam e papërvojë. S’kanë faj që mendojnë se diçka nuk shkon me mua, s’kam puthur kurrë, aq më pak të kem bërë seks.
Shkruar nga një grua anonime për The Guardian