Adoleshenti që vrau prindërit, vëllezërit dhe motrën dënohet me 5 dënime të përjetshme

 Read in English

Një 19-vjeçar i akuzuar për therjen e prindërve dhe tre motrave e vëllezërve u ndëshkua këtë të enjte me pesë dënime të përjetshme të njëpasnjëshme, që do të thotë se s’do të fitojë kurrë sërish lirinë, edhe nëse kërkon lirim me kusht.

Michael Bever ishte 16 vjeç në 2015-n, kur ai dhe dhe vëllai i tij i madh, Robert Bever vranë nënën, babain, dy vëllezërit e vegjël dhe motrën e tyre 5-vjeçare në Tulsa. Dy motrat e tjera i mbijetuan sulmit.

Robert Bever, që ishte 18 vjeç asokohe, u vetëdeklarua fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht. Michael Bever u ndëshkua në maj për pesë akuza vrasjeje me paramendim.

Michael Bever u dënua gjithashtu për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë ndaj motrës së tij asokohe 13-vjeçare, që mbijetoi. Një prej motrave, 2 vjeç, nuk u dëmtua. Të enjten, Bever u dënua me 28 vite burg, për sulmin ndaj motrës 13-vjeçare, shtuar pesë dënimeve të përjetshme.

Autoritetet nuk kanë bërë publike motivet e adoleshentëve.

Fqinjët thanë se fëmijët shokolloheshin të gjithë në shtëpi dhe se prindërit i mbanin pranë vetes, nuk i lejonin të luanin me fëmijët e tjerë apo të kalonin kohë me fqinjët.

Pas sulmit, Robert Bever tha se prindërit e rrihnin. Tha se njëherë, i ati e tërhoqi zvarrë deri në katin e dytë sepse kishte lënë një dritë ndezur, ndërsa e ëma e goditi aq fort, sa i mbeti shenjë. Ai u shpjegoi autoriteteve si planifikoi vrasjen e prindërve dhe vëllezërve e motrave, me shpresën se vrasjet do ta bënin të famshëm.

Avokatët thonë se Michael Bever u ndikua nga i vëllai, teksa Robert Bever dëshmoi se donte të merrte përgjegjësi të plotë mbi vrasjet.

Avokatët kanë ndërmend të apelojnë vendimin.

Burimi: AP

Artikuj të ngjashëm