Gjatë këtij sezoni, ku shumica largohet nga kryeqyteti, duket se edhe institucionet e kulturës kanë marrë zyrtarisht pushimet në Tiranë për t’u zhvendosur në jug, i cili ka qenë kryefjala e këtyre organizimeve.
Ishte Teatri i Operas ai që u zhvendos i pari përgjatë bregdetit jonian me “ Opera në Jeans”, që nisi fillimisht në sheshin “Skënderbej” me interpretimin e Vikena Kamenisës, Albana Lekës, Niko Kondakçiut, një koncert ku njerëzit zgjodhën veshje xhins për të dëgjuar një lloj miksimi të muzikës operistike, këngëve dhe orkestraleve bashkëkohore. Më pas vazhduan koncertet e Ansamblit Popullor dhe premiera e “Sokaku i të Marrëve” në qytetin e Gjirokastrës.
Ky i fundit, që mblodhi pranë veten artistë shqiptarë dhe të huaj, u frymëzua nga veprat e Ismail Kadaresë dhe dhuroi për të pranishmit motivet më të njohura të zonave jugore përmes orkestrës së Ansamblit Popullor, trupës së valleve, korit etj.
Gjithashtu në fund të muajit qershor, Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental u mbyllën përkohësisht për shkak të debateve në vend, ndërsa Teatri i Kukullave është zhvendosur tani me shfaqjet në Himarë e Dhërmi.
Megjithatë në kryeqytet do të vijojnë koncertet me muzikë live, por jo vetëm, të organizuara nga artistët apo kompanitë private.
Burimi: Top Channel