Diamanti i Shpresës, një diamant i rrallë blu, është një prej gurëve më të famshëm në histori, me një të shkuar të komplikuar duke kaluar nga duart e monarkëve dhe bankierëve, në duart e trashëgimtareve dhe hajdutëve para se të vendosej në Muzeun e Washington-it.
Historia gjeologjike e diamantëve blu është akoma më e koklavitur, sipas një studimi që ekzaminon gurët e rrallë e të vyer, publikuar të mërkurën.
Shkencëtarët analizuan 46 diamantë blu, duke përfshirë një nga Afrika e Jugut që u shit për $25 milion në 2016 dhe zbuluan se diamantët blu formohen në të paktën 660 km thellësi, duke iu afruar shtresës së brendshme të Tokës të quajtur manteli i poshtëm. Fragmente të vogla mineralesh, ngecur në brendësi të diamantëve, nxorrën në pah të dhëna për origjinën e tyre.
Diamantët blu përbëjnë vetëm 0.02 përqind të diamantëve të nxjerrë nga minierat, por janë disa prej gurëve më të famshëm në botë.
Diamantët janë një formë kristalore e karbonit të pastër dhe formohen nën nxehtësi dhe presion të tejskajshëm. Diamantët blu kristalizohen pranë mineraleve që përmbajnë ujë, të cilët vite më parë ishin pjesë e dyshemesë së oqeaneve, por u zhytën akoma më thellë nëntokë si pasojë e lëvizjeve të pllakave tektonike.
Shkencëtarët e dinin tashmë se këta diamantë e përfitonin ngjyrën blu prej elementit boron. Ky studim sugjeron se boroni dikur gjendej në ujin e oqeaneve dhe u inkorporua në gurët e tabanit të këtyre oqeaneve, të cilët pas miliona vitesh u zhytën thellë nëntokë.
“Kjo është hera e parë që dikush ndërton një historik ose model të bazuar në fakte për të zbuluar si formohen diamantet blu. Para këtij studimi, s’ia kishim idenë ku formoheshin, në ç’gurë zinin vend apo ku e gjenin boronin,” tha Evan Smith i Gemological Institute of America, i cili drejtoi studimin e botuar në revistën shkencore Nature.
Shumica e diamantëve nuk janë tërësisht pa ngjyrë, pasi shpesh kanë hije të lehta të verdha. Edhe pse rrallë, disa diamantë kanë hije të forta në të verdhë, kafe, rozë ose jeshile. Thuajse 99 përqind e diamantëve formohen 150-200 km nëntokë, goxha më cekët nga ç’formohen diamantët blu.
Përveç Diamantit të Shpresës, i cili mund të shihet nga kushdo në Smithsonian National Museum of Natural History, një tjetër diamant i famshëm blu, i quajtur Oppenheimer Blue, u shit në 2016-n për $57.5 milion. Asokohe, ishte çmimi më i lartë ofruar në ankand për gurë të çmuar a bizhuteri.
“Këta diamantë janë ndër më të thellët,” tha Steven Shirey për diamantët blu, gjeokimist i Carnegie Institution for Science.
Burimi: Reuters