Kushdo që është tifoz i zjarrtë i Gjermanisë (dhe jo vetëm) e njeh fare mirë Mesut Ozil- in dhe rrugëtimin e tij të gjatë nën fanellën gjermane. 30- vjeçari është tërhequr nga kombëtarja me të cilën luante për shkak të kritikave dhe ofendimeve të rënda që mori në këtë Botëror.
Ai u shpreh se ka rënë viktimë e propogandës politike dhe se nuk ndihet më krenar për skuadrën që përfaqëson, ose më mirë, përfaqësonte.
Futbollisti me origjinë turke u kryqëzua nga komentues të shumtë pas performancës së dobët të Gjermanisë në Kupën e Botës. U desh një foto e tij përkrah presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe njerëzit nuk kursyen fjalë pa i thënë.
Mesut Ozil tregoi se gjatë gjithë kohës familja e tij kishte marrë mesazhe urrejtjeje dhe telefonata kërcënuese.
“Nuk do të luaj më për Gjermaninë për aq kohë sa ka racizëm dhe mosrespekt rrotull meje. E kam veshur atë fanellë me krenari dhe emocion, por jo më. Kur federata gjermane me trajton ashtu si më trajtoi, kur nuk respekton rrënjët e mia turke dhe i përdor për propogandë politike, s’ka më tolerim. Nuk do të rri duarkryq dhe pa bërë asgjë. Racizmi kurrë nuk duhet pranuar. Unë jam gjerman kur fitoj dhe emigrant kur humbas. A ka gjë kritere për të qenë gjerman që unë nuk i kam? Miqve të mi Lukas Podolski dhe Miroslav Klose kurrë nuk u referohen si gjermano- polakë, ndaj mua pse më quajnë gjermano- turk? Sepse bëhet fjalë për Turqinë? Sepse jam musliman? Për mua të shkrepurit një foto me presidentin nuk kishte të bënte fare me politikën apo zgjedhjet, por me respektin ndaj zyrës më të lartë të shtetit tim. “ shkruan ndër të tjera në një postim të gjatë në Twitter ish- lojtari i Gjermanisë.