Mustafa Nano ishte i pranishëm në një konferencë të mbajtur në Beograd, “Shqiptarë e serbë – si të ecet më tutje”, ku të ftuar ishin intelektualë e studiues nga të dyja shtetet. Në një intervistë për “Panorama”, Nano foli më gjerësisht në lidhje me tezën e tij në këtë konferencë.
I pyetur se a mund të përjashtohet Kosova kur bëhet fjalë për marrëdhënien mes shqiptarëve dhe serbëve, ai u shpreh kështu:
“Po, mund të ndodhë. Madje, duhet të ndodhë. Për dy arsye. Së pari, sepse çështja e Kosovës ka marrë rrugë e nuk mund të kthehet prapa; nuk ka fuqi askush që ta kthejë prapa; çfarëdo që të ndodhë, nuk ka më kthim prapa; edhe sikur kosovarët të rrëmbejnë armët e të fillojnë të luftojnë me njëri-tjetrin, kthim prapa nuk ka; dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë; unë çuditem pse kjo nuk është e qartë. Dhe së dyti, sepse ka gjëra të tjera për të biseduar, që mund të jenë shkëmbimet në ekonomi, në kulturë etj., apo edhe – kjo është një temë që unë e kam për zemër – shkëmbimet e takimet midis intelektualëve, akademikëve, gazetarëve, në mënyrë që këta të fundit të ballafaqojnë e të përafrojnë ide, mendime, vizione mbi historinë, mbi njëri-tjetrin, mbi gjëra që ne ndajmë.”
Në vijim shtoi disa argumenta të tjerë në mbrojtje të tezës së tij.
“Saktësisht, teza ime është se “problemi ynë është Kosova; kur flasim për marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve, Kosova është “gjylja e madhe” në këmbët e këtyre marrëdhënieve; dhe sikur kjo çështje të mos ekzistonte apo sikur të gjente një zgjidhje imediate, që do t’i bënte të gjithë ta flinin mendjen, ne nuk do kishim përse të grindeshim, pasi nuk na ndajnë gjëra të tjera të mëdha. Diferencat e tjera janë si diferencat mes kombeve të tjera, si ato mes Francës e Gjermanisë, si ato mes Spanjës e Portugalisë etj., etj., madje, serbë e shqiptarë janë më të ngjashëm sesa janë të tjerë me njëri-tjetrin; dhe kjo sepse kemi qenë fqinjë që për shekuj me radhë, kemi jetuar nën sundimtarë të njëjtë dhe në këtë kontekst, më shumë kemi dhënë e kemi marrë me njëri-tjetrin sesa kemi luftuar; dhe se kush mohon faktin që ne kemi dhënë e kemi marrë me njëri-tjetrin, është një i paditur.”
Intervistën e plotë e gjeni duke klikuar këtu.