Të dielën do të mbahet finalja e Kupës së Botës – Rusi 2018, në një ndeshje emocionuese midis Francës dhe Kroacisë. Mirëpo ende pa mbaruar mirë Botërori 2018, FIFA lançoi zyrtarisht vendin dhe datat e kampionatit të ardhshëm të Kupës së Botës 2022.
Për habinë e të gjithëve (ose jo dhe aq), Botërori i ardhshëm do të zhvillohet në Katar, shtet në Lindjen e Mesme. Deri këtu çdo gjë është në rregull, pasi askush nuk ka ndonjë gjë personale me Katarin. Problemi qëndron tek datat.
Siç është bërë traditë, ndeshjet zhvillohen në periudhën qershor-korrik, por për herë të parë në histori, Kupa e Botës do të zhvillohet në dimër.
U dyshua në fillim se moti i nxehtë i Katarit do ta detyronte FIFA-n të ndryshonte datat dhe tashmë është zyrtare: Botërori 2022 do të zhvillohet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor, saktësisht një javë para Krishtlindjeve.
Interneti nuk është fort i lumtur me një lajm të tillë, pasi për vite e vite me radhë, ndeshjet u shijuan gjatë sezonit veror. Po ju ç’mendim keni?
Burimi: The Washington Post