Pak orë pas ardhjes në jetë të vogëlushes, Besi dhe Xhensila emocionojnë me fjalët e tyre!

 Read in English

Pak orë më parë, Besi dhe Xhensila u bënë prindër për herë të parë. Fill pas lajmit të ardhjes në jetë të Ajkës, çifti iu drejtua Instagram-it për të ndarë me ndjekësit emocionet e para.

“Kur morëm vesh që do vije ti, sa u lutëm dhe falenderuam Zotin për këtë bekim. Mirë se erdhe Ajka e jetë sonë. Të mbaj në krahë, e ta ndjej frymën, edhe aromën, a thua se të gjitha lulet e kësaj toke janë mbledhur grusht tek gusha jote. Çfarë ndjesie qenka të mbash krejt botën në duar. O kënga ime, o poezia ime.

Bëj më të mirën dhe duaje veten. Për çdo të mirë që do bësh, Zoti do shkurtojë distancën mes teje dhe Atij.

Nuk më ka emocionuar asnjë publik sa ti, unë jam publiku yt në fakt, duartrokas gjithçka tënden. Zoti qoftë bariu yt. Ti do jesh lutja ime. Bes, Zoti na bekoi të dyve me më të shtrenjtën dashuri. Unë jam me fat që të kam, më shumë akoma ti që je babai i Ajkës sonë”, shkroi Xhensila.

Ndërsa Besi u zgjat më shumë, duke nisur nga emocionet e para të shtatzënisë, këshillat për të ardhmen, madje nisi që sot “ta paralajmërojë” vogëlushen për ditët kur ndonjë djalë do të dojë ta ngacmojë. Je ende herët Bes, ka kohë.

“O lule e bukur e gjakut tim,

I gjithë kuptimi i jetës dhe i vetes qenka jo më i madh se ti, as më i rëndë se disa kg, sa e vogël bota, kaq sa je ti qenka.
Asgjë si ty, asnjëhere s’ja kam ndjerë rëndësinë, vlerën dhe plotësinë jetës më shumë se sot. Vendosëm të të quajmë AJKA. Babai yt, qysh i vogël mezi priste që Ija ta ziente qumështin dhe fshehurazi të vidhte AJKËN, si shija më e mirë e fëmijërisë. Nëna jote është “ajkë” më vete. Nuk do të kesh probleme ninullash me pak fjalë. Edhe unë do të përpiqem, por unë di ninulla vetëm për skiftera me vjedhje zemrash, edhe për Baftjarin, po që ti s’ke si ta njohësh.

Ajka, në jetë jep sa më shumë dashuri nga bota jote. Po vjen në një tjetër jetë, ku për kaq shumë shekuj kemi bërë vetëm shpikje se si ta shkaktërrojmë edhe jo si ta ndreqim. Ti nise kontributin tënd duke bërë gjithçka me dashuri, me forcën dhe energjinë më të jashtëzakonshme, prej saj erdhi edhe krijimi i qenies tënde dhe prej saj erdhi i gjithë krijimi i gjithçkaje. Ndaje kafshatën e bukës me nevojtarët dhe mos jep vetëm thërrimet.

Gjatë jetës kam dashur të jap vetëm buzëqeshje tek të tjerët, por askush s’më ka bërë të qesh e të qaj njëkohësisht, askush si ti. Hera e parë që jam publik, ti më bën të qesh sa lëviz dorën, më bërë të qesh edhe kur hape sytë, më bëre të qesh edhe kur flije, kuptova që unë s’ja them humorit fare, kot e mbaj veten për të tillë.

Unë dhe nëna jote të premtojmë dashuri. Nejse, do të më duhet të bëhem edhe çun Fushë-Kruje kur ndonjë djalë do të dojë të gërricet me ty [...] Ajka, ti nuk e ke idenë sa të lumtur jemi me ty. Tani të lutem mundohu të na lësh të flemë pak gjumë”, u shpreh ai.

 

Artikuj të ngjashëm