Një grua e panjohur në internet mori vëmendjen e mijëra njerëzve pasi postoi në Facebook një foto të pazakontë – një pirg me enë të lara – për të ilustruar simptomat e depresionit.
Më 30 qershor, Brittany Ernsperger postoi foton e mësipërme, në të cilën shfaqen në grumbull enësh të lara në banakun e kuzhinës.
“Ja si duket depresioni,” shkruajti ajo në përshkrimin e fotots. “Jo enët e lara, por fakti që kishte aq shumë enë për të larë në radhë të parë, fakti që kisha dy javë pa i prekur me dorë. Para tre ditësh, u ula në dyshemenë e kuzhinës dhe i pashë teksa qaja. E dija që duheshin larë. Doja shumë t’i laja, por depresioni më përmbyti. Më kaploi. Si një vrimë e zezë. Me shpejtësi, si rërë thithëse.”
Brittany shtoi se kaloi ditë të tëra, ku ndihej “e pavlerë”, “e pazonja” dhe “dembele”, thjesht sepse nuk e çonte dot punën deri në fund.
“Dhe më e keqja është se s’më ndodh vetëm me enët e palara. Rrobat, të pastruarit, të vishem, të bëj dush, të vesh fëmijët, të laj dhëmbët e mi dhe të fëmijëve të mi, punë të përditshme. Të gjitha m’u kthyen në makth.
Njerëzit e fortë nuk flasin për depresionin sepse nuk duan që të tjerët t’i shohin si të dobët. Nuk jeni të dobët.”
Postimi godet aty ku duhet: Depresioni nuk është trishtim. Është një sëmundje me një rang të gjerë simptomash që përfshijnë probleme me gjumin, dhimbje fizike, ndryshime në oreks, probleme me përqëndrimin, faj dhe ndjenja pavlefshmërie, pamundësi për të mbaruar detyra të thjeshta, si për shembull larja e enëve.