E para e punës, njerëzit e lumtur jo domosdoshmërisht punojnë në shtet. Edhe mundet, por s’është absolute. E dyta, ç’është një njeri i lumtur apo më saktë, një punonjës i lumtur. Mendojeni si për vete. Një pagë e mirë kontribuon te lumturia, ashtu si pushimet, lejet, oraret fleksibël. Po më? Shumica e punëdhënësve i ofrojnë këto kushte minimale, por shumica e punëmarrësve s’janë të lumtur. Pra, ku punojnë njerëzit e lumtur në Tiranë?
Me pak hulumtim, zbuluam se punonjësit më të lumtur, janë ata që trajtohen si aseti më i vyer në kompani. Kompani si Philip Morris International, Deloitte Albania apo Local Web kujdesen për punonjësit, po aq sa për mbarëvajtjen e biznesit. Ngjajnë si një grumbull fjalësh të mërzitshme, por realiteti është krejt e kundërta.
Në të njëjtën filozofi me Google, Amazon apo Apple që shquhen për përfitimet që i ofrojnë punonjësve të tyre, dhe kompanitë e lartpërmendura që operojnë në Shqipëri bëjnë aksione motivuese sipas mendësive të ngjashme.
Përshembull, Philip Morris Albania i ofron punonjësve yoga me instruktor në zyrë në disa ditë apo mësime vallëzimi salsa ditë të tjera. Kështu, kufiri mes punës dhe jetës jashtë saj shkrihet në diçka të gëzueshme dhe motivuese.
Kontaktova me Anis Brahimin, përgjegjëse për komunikimet në Philip Morris International dhe njëherazi praktikante e yogas prej pesë vitesh. Ajo më tregoi si është të kesh hapësira të tilla relaksuese brenda ambientit të punës:
“Me ritmet që kemi nuk na mbetet gjithmonë kohë për të balancuar jetën e punën. Të gjithë duam të bëjmë disa aktivitete më shumë për veten dhe nuk bëhemi mbarë kurrë. Prandaj yoga në një sallë të dedikuar me instruktor dy herë në javë është shumë popullore në kompani.
Edhe nëse s’kam mbaruar ende punë në orën pesë, futem në yoga, bëj diçka me koleget, shfryj tensionin e gjithë ditës dhe nëse kam akoma për të punuar, punoj me tuta. Është shumë komode.”
Kur vjen puna te eksplorimi i hapësirave dhe zonave të reja, në rastin e Philip Morris Albania, kjo përkthehet në një aventurë të vërtetë profesionale. Por nuk është thjesht një batutë e bukur. Në fakt, çdo vit, katër punonjësve të kësaj kompanie u jepet mundësia të transferohen për një përvojë nga 6 në 18 muaj, në vende të tjera. Këtë vit, katër prej tyre punojnë në Tanzani, Serbi, Zvicër dhe Dubai, përmes programit Short Term Asignment. Afërmendsh, shtegtimet ndërkontinentale drejt vendeve ekzotike priren të jenë më emocionuese se të tjerat.
Philip Morris Albania dhe kompani të tjera organizojnë ndeshje futbolli apo volejbolli. Punonjësit mblidhen fundjavave, luajnë, zhveshin stresin e një jave të lodhshme dhe njëherazi forcojnë shpirtin e skuadrës me kolegët. Puna në vazhdim ecën mbarë sepse njerëzit vijnë me frymë të re bashkëpunimi.
CEO e Local Web, Katerina Bojaxhiu, më tregon se punonjësit në kompaninë e saj kanë skuadra futbolli për burrat dhe volejbolli për gratë të cilat luajnë fundjavave, përveç udhëtimeve me stafin të premteve pasdite. Bojaxhiu më foli për efektet që kjo nismë ka në produktivitet:
“Aktivitet sportive bëjnë që menaxheret dhe punonjësit të jenë dhe të ndihen të barabartë. Madje ndonjëherë, punonjësit janë më të zotët në sporte se menaxheret dhe kjo u ngre moralin. Nuk mund të mos përmendim faktin se gjatë lojërave krijohen shumë situata komike. Të nesërmen në punë të gjithë janë më aktivë dhe më energjikë.”
Ngjitjet në mal janë gjithashtu një aktivitet që arrin një rezultat të ngjashëm me sportet. Punonjësit e Deloitte Albania organizojnë shpesh ekskursione të tilla sprovuese. Porsi qëllimet në punë, punonjësit që ngjisin malin synojnë majën. Të gjithë punojnë fort, lodhen, djersiten dhe në fund shpërblehen duke realizuar atë që kishin në plan. Majën e malit kur bëjnë ngjitje dhe arritjen e qëllimit kur punojnë. Merreni si një alegori që thotë se kush punon fort, shpërblehet.
Ndërsa yoga dhe palestra që përmendëm më lart, këshillohen aq shumë nga ekspertët sa ka sipërmarrje të veçanta që kanë për qëllim vetëm organizimin e seancave relaksuese kudo ku ka hapësirë në zyrë. Përveç dobive të tjera, ushtrimet fizike çlirojnë endorfinë, hormon që na bën të ndihemi mirë. Një punonjës i relaksuar dhe i ushtruar fizikisht është jo vetëm një punonjës produktiv në punë, por dhe njeri më i lumtur në përgjithësi.
Vendet e punës ku punonjësi hyn dhe del i stresuar po bëhen me shpejtësi një fenomen i të shkuarës dhe le të falënderojmë departamentet e burimeve njerëzore që po sfidojnë duke evoluuar çdo ditë, standardet e industrisë për këtë.