Sezoni turistik është hapur zyrtarisht. Pavarësisht tekave të motit, njerëzit nuk janë stepur nga plazhi. Dhe duket se bregdeti i Vlorës ka qenë destinacioni i preferuar i turistëve të huaj, kryesisht atyre rus. Operatorët turistikë bëjnë me dije se çdo ditë vijnë rreth 250 pushues rusë.
Madje, shumë hotele dhe shtëpi pranë bregdetit janë pronotuar prej tyre edhe për 2 muajt në vazhdim.
Edhe pse gjatë kësaj kohe të gjithë njerëzit, e kryesisht tifozët do të bënin ç’të mundnin për të qenë në Rusi që të shohin nga afër ndeshjet e Botërorit 2018-të, vetë rusët duan Shqipërinë.
Në një intervistë të dhënë për Top Channel-in, turistët rus janë shprehur se ndihen të kënaqur me vendin që kanë zgjedhur. Për ta, natyra që ofron Shqipëria dhe Vlora në veçanti është e mrekullueshme, për të vazhduar më tej me ushqimin që ofrohet.
Përveç rusëve, që duken se kanë pushtuar bregdetin e Vlorës, polakët dhe suedezët kanë zgjedhur Detin Jon për tu shlodhur.
“Kemi blerë një shtëpi në Shqipëri. Është shumë këndshëm. Ka plazhe të bukur, të përshtashëm si për të rritur dhe për fëmijë, vend i përkryer!”- tregon një turiste ruse.