Që ta bëjmë të qartë që në fillim, nuk do të flasim aspak për të këqijat e teknologjisë dhe sa keq ndikon ajo në jetën tonë. Nuk do të flasim aspak të alarmuar për fëmijët që sipash nesh e kanë mendjen tek ipad-i dhe nuk luajnë, pasi kjo është temë më vete, shumë e gjerë dhe subjektive; është pak a shumë si brezi i gjyshërve tanë që na thonin “Ee kur ishim ne si ju i shpiknim lodrat vet, kurse ju i blini të gatshme”, ndërkohë që ne sot shprehemi “Eh kur ishim ne si ju luanim me lodra, ndërsa ju rrini në ipad”. Me zhvillimet e bujshme, ku i dihet ç’do t’i thonë fëmijët e sotëm gjeneratave të mëvonshme.
Pak a shumë do të kujtojmë me nostalgji 3 detaje të lezetshme që na kanë shoqëruar për kohë me radhë, por tani nuk ekzistojnë më, si puna e divanit të famshëm që bëri bashkë gjithë shqiptarët. E fillojmë me koncertet.
Një vend i vogël si ky i yni nuk ka patur fatit të organizojë koncerte të mëdha, por gjithsesi dimë të themi se i kemi shijuar në mënyrën tonë. Pa telefona për të fotografuar apo filmuar gjithë performancën, dikur ishim sy e veshë drejt skenës. Dikush me të drejtë mund të thotë se ç’kuptim ka një koncert/festival nëse nuk ke diçka për ta kujtuar më vonë, por ama sa vlen një foto/video për një event që s’u shijua kurrë?!
Meqë jemi tek koncertet, e njëjta gjë vlen dhe për të kërcyerit. Nuk e dimë pse sot shumica qëndron si robot nëpër festa.
Të rrallë janë njerëzit që dëfrehen në mënyrën e tyre, kërcejnë për qejfin e vet, sepse pjesa më e mirë, në mos qoftë duke postuar Instastory, do të preferojë të mos lëvizë duke u shprehur “Aman se do ta shohim veten tek...[lexo: faqe memesh]”. Fobia e shekullit XXI, viti 2018: memet.
Tani vazhdojmë me kartolinat. Le të jenë sa të duan demode, kujt nuk i sollën kujtime të së kaluarës, kush nuk u përfshi nga nostalgjia kur pa kartolinat e vjetëruara, me shkrime si "Mos kujto se të harrova, kartolinën ta dërgova".
E njëjta gjë vlen edhe për fotot e rralla, që sot zor se mund t'i gjesh në familjet e reja.
Po e mbyllim me CD-të. Askush nuk i përdor më sot, të gjithë i mbajmë këngët në telefon dhe sa mirë për këtë se kursejmë kohë, por vendosëm t'i bëjmë pjesë të listës sepse të gjithëve na kujton diçka një CD e tillë: dikujt një këngë, dikujt një dhuratë.
Ah edhe diçka, ndërkohë që unë po e shkruaj këtë artikull nga kompjuteri dhe ju po e lexoni me shumë gjasë nga telefoni juaj, të ndalojmë një minutë dhe të kalojmë më shumë kohë me njerëzit e afërm, të mos mjaftohemi me një mesazh në WhatsApp apo videocall në Facetime...sepse edhe marrëdhëniet "na i vrau" teknologjia, duam apo s'duam ta pranojmë. Natyra është kaq e bukur, le ta shijojmë me ta.