Ejjjj , u ktheva. U bënë pak kohë nga receta e fundit , në fakt , por kjo sepse rutina e përditshme ka raste që nuk të lë as të marrësh frymë. Ju kisha premtuar që receten e rradhës do sillja dicka të ëmbël , ndaj sot kam vendosur të ndaj me ju këtë recetë.
E lehtë , e shijshme , e freskët dhe me një shumëllojshmëri zgjedhjesh për frutat që ju mund të vendosni , kjo tortë është ajo që nuk mund të mungojë këtë verë në tavolinat tuaja. Nëse keni një festë apo një ditëlindje , apo thjesht sepse ju hahet dicka e ëmbël (mua kjo më ndodh shumëëëë shpesh ) , përvishni mëngët , vendosi pak muzikë të gëzuar në sfond , dhe ju siguroj që rezultati do jetë fantastik.
Dhe jo , mos u trembni sepse kjo tortë nuk është fare e komplikuar. Do vetëm pak përkushtim dhe shumë dashuri.
Përbërësit (për një tavë me diametër 21 cm) :
4 vezë në temp. ambjenti
10 lugë gjelle sheqer
13 lugë gjelle miell
1 lugë caji uthull
½ bustinë vanilje
2 lugë gjelle vaj luledielli
3 lugë gjelle qumësht
200 ml pana të ëmbël
500 gr fruta si luleshtrydhe , qershi , mjedra, etj
Sheqer pluhur dhe fruta për zbukurim
Përgatitja :
Parangrohni furrën në temperaturën 180 gradë. Shtroni një letër pjekjeje në tavën e rrumbullakët (mundësisht me hapje anash) ose lyejeni me gjalp dhe miell që të mos ngjisë pandispanja.
Ndani vec të bardhat e vezëve dhe filloni t’i rrihni me mikser derisa të formohet shkuma.
Kur të jetë formuar , shtoni 3-4 lugë sheqer dhe uthullën dhe vazhdoni t’i rrihni derisa të formohet marenga.
Në një tas tjetër , përzieni të verdhat e vezëve me sheqerin , qumështin dhe vajin. Shtoni miellin , vaniljen dhe kripë sa kapin majat e gishtave dhe përziejeni derisa të bëhet masë kremoze.
Shtoni pak nga pak marengen tek masa kremoze dhe me spatul përziejeni me lëvizje nga lart poshtë.
Hidheni në tavë dhe piqeni për rreth 35-45 minuta ose bëni provën e thikës.
Pas pjekjes , lërëni të ftohet dhe ndajeni në dysh pandispanjën dhe filloni përgatitjen e panës.
Hidhni panën në një tas dhe rriheni me mikser derisa të montohet plotësisht.
Me një spatul hapeni kremin në sipërfaqen e pandispanjës , shtroni frutat e prera dhe vendosni pjesën e sipërme të pandispanjës.
Zbukurojeni me fruta të tjera sipër dhe me sheqer pluhur.
Ju bëftë mirë !