Pak më parë, nisi masterclass i grimierit Mario Dedivanovic në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Të 2000 vendet u shitën me kohë, një pjesë e konsiderueshme shikuesve të huaj që erdhën në Tiranë posaçërisht për Marion. Ky detaj nuk mbeti pa i rënë në sy grimierit.
I dukej e pabesueshme që do të mbushej një sallë kaq e madhe në Shqipëri. Mario rrëfeu se para 2 vitesh, klasa të tilla i bënte me 20 vetë, jo me 2000.
Të pranishmit i kërkuan grimierit të demonstrojë atë që bën më mirë: grimin glamoroz.
Në rreshtat e parë ndodhet shumica e familjarëve të Marios, me përjashtim të një njeriu shumë të rëndësishëm. Nëna e tij është sëmurë dhe nuk mundi të ishte e pranishme.
Sidoqoftë, Mario gjeti mënyrën që nëna e tij të ishte disi aty me të. Modelen në të cilën po demonstron grimet, Mario e zgjodhi vetë dhe e zgjodhi pikërisht sepse i ngjante nënës së tij kur ishte e re.