Ja çfarë fshihet pas protezës për rimodelimin e hundës

 Read in English

U bë disa kohë që në internet po shiten disa proteza të cilat thuhet se arrijnë të bëjnë drejtimin e hundës. Qëllimi i këtyre protezave është që të bëjnë rimodelimin e saj, pa patur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Sa e mundur është kjo?

Kompanitë që prodhojnë këto lloj protezash janë kujdesur që produktit të tyre t’i bëjnë edhe një marketing të fuqishëm, në mënyrë që t’ua shesin njerëzve sapunin për djathë.

Çmimi i këtyre “gjërave” varion nga 2 deri në 50 dollarë dhe të themi të drejtën ky çmim duket tejet qesharak, krahasuar me operacionin e hundës i cili varion nga 1500 deri në 2000 euro (në klinika në vendin tonë).

Por, a bëjnë me të vërtetë punë këto proteza?

Specialistët e ndërhyrjeve kirurgjikale thonë se ky produkt nuk është asgjë tjetër veçse një gënjeshtër e madhe. Sa e mundur është që një protezë e atillë të arrijë të bëjë rimodelimin e hundës?

Ama le të përpiqemi të bëjmë “avokatin e djallit” duke besuar se këto gjëra që shiten bëjnë vërtet punë.

Kjo lloj proteze duket magjike. Vjen e shoqëruar me disa kapse të cilat përdoren për rimodelimin e brendshëm dhe me një kapse tjetër më të madhe e cila përdoret për rimodelimin e jashtëm. Deri tani çdo gjë duket në rregull dhe rezultatet në fotot dhe në videot e vajzave që e kanë përdorur duken fantastike.

Le të qëndrojmë pak te këto video dhe foto. Do të donim t’ju kujtonim se në ditët e sotme truket e marketingut kanë arritur majat. Përse të mos modifikohet një video ose një foto në kuadër të reklamimit?

E pra, kjo është plotësisht e mundur, ndaj me siguri këto proteza nuk janë asgjë tjetër veçse një gënjeshtër e madhe.

Përsëri janë specialistët ata që kanë treguar edhe dëmet që mund të shkaktojë përdorimi i këtyre shpikjeve. Dhimbje koke, deformim të hundës. Pak ju duken?

Si përfundim mos besoni çdo “shpikje” të çuditshme që qarkullon në internet. Disa gjëra të krijuara nga natyra ose jo, nuk mund të çbëhen me anë të shpikjeve disa dollarëshe që shiten në internet.

Artikuj të ngjashëm