KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Transformim total

Fotot para dhe pas kësaj diete janë gjithçka që ju duhet për t’u motivuar

14 Prill 2018

Dieta keto është dieta më popullore e momentit. Konsiston në sasi të larta yndyre, sasi të moderuara proteine dhe shumë pak karbohidrate. Shumë e provuan dhe shumë nxituan të postojnë rezultatet në Instagram.

Në fakt, ekziston një llogari në Instagram dedikuar transformimeve si pasojë e kësaj diete.

Ç’është ekzaktësisht dieta keto? Dieta rekomandon që 70% e kalorive të nevojshme ditore të merren nga yndyrnat, 20-25% nga proteinat dhe 5-10% nga karbohidratet. Kjo do të thotë që vaktet e konsumuara gjatë ditës duhet t’u përmbahen këtyre kushteve. Për mëngjes për shembull, mund të konsumohen vezë dhe avokado në vend të çerealeve dhe frutave.

Dieta mund të zbatohet për sa kohë të dëshironi, sepse është më tepër një stil jetese, sesa dietë e mirëfilltë ushqimore.

Emri “keto” vjen nga fjala “ketogjenike”. Kur njeriu ndjek këtë plan të ushqyeri, trupi hyn në një gjendje të quajtur ketozë. Kur trupi hyn në ketozë, detyrohet të djegë dhjamin për të pasur energji në vend të sheqernave.

Duke gjykuar nga fotot, dieta është efektive, por s’duhet të ndikohemi kaq lehtësisht nga disa foto para dhe pas.

Si fillim, të gjithë ata që e kanë provuar dietën keto flasin shkurtimisht për përvojën e tyre dhe nuk shpjegojnë çdo faktor që mund të ketë ndikuar në rënien e tyre në peshë. A janë dobësuar më parë kaq shumë? Sa shpesh ushtrohen? A vuajnë nga ndonjë sëmundje? Dieta keto mund të mos jetë e duhura për ju, pavarësisht rezultateve që duket se siguron. Konsultohuni me mjekun a dietologun tuaj para se t’i përkushtoheni një vendimi të tillë.

MOS I HUMBISNI