Dashuria imë për gatimin është rritur bashkë me mua, që në vegjëli. Mbaj mend kur mami më linte të prisja ndonjë karrotë apo të ndaja brumin në copa. Sa shumë më pëlqente. Kur fillova të rritesha më shumë, mami më jepte të hapja petë. E po, fillimet kanë qenë goxha të vështira. Petë me cepa, asnjëherë perfekte, më çaheshin, më bëheshin më rrudha, etj, etj. Por me praktikë, nuk ka gjë që nuk perfeksionohet. Kështu që me kalimin e kohës, petat filluan të bëheshin të bukura, ashtu siç duheshin bërë.
Mirëpo sot , prej jetës së vrullshme apo prej blerjes së ushqimeve gati, amvisat, por jo vetëm, nuk gjejnë më dëshirën apo kohën për të bërë një byrek me peta të bëra vetë. Ndaj sot kam një sekret për të ndarë me ju. Mënyrën më të thjeshtë të përgatitjes së një byreku. Po po , do hapni peta por jo një për një. Jo të holla. E nuk ka rëndësi nëse kurrë më parë, nuk keni kapur shkop me dorë për të hapur petë. Këtë byrek mund ta bëjnë që të gjithë , ndaj nuk ka justifikime. Me më pak se 30 minuta përgatitje , do keni bërë një byrek , si është ajo shprehja , për të lëpirë gishtat.
E meqë lakrat e egra janë të preferuarat e mia , e për më tepër shumë të shëndetshme , zgjodha të bëja byrekun me lakra , por nëse e doni me gjizë , me mish apo me cfarëdo lloj mbushje tjetër , jepini. O sot o kurrë !
Përbërësit:
500 gr miell
1 vezë
1 filxhan kafe vaj luledielli ose misri
800 gr lakra të egra (hithra , lëpjeta,lulëkuqe,spinaq,labot, etj)
2 qepë të njoma
3 lugë gjelle vaj ulliri
4 lugë gjelle gjizë pa kripë
Nisëeshte
Ujë
Vaj luledielli ose misri
Kripë
Piper të zi
Përgatitja:
Në një enë , hedhim miellin dhe bëjmë një gropë në mes. Shtojmë vezën , filxhanin me vaj , kripë . shtojmë ujë pak e nga pak derisa të formojmë një brum jo shumë të fortë.
E mbulojmë me një pecetë kuzhine dhe e lëmë të pushojë derisa të përgatisim mbushjen.
Në një tigan, hedhim 3 lugë gjelle vaj ulliri. Hedhim qepën e njomë të grirë dhe e lëmë në zjarr mesatar derisa të zbutet.
Shtojmë lakrat e grira dhe i përziejmë herë pas here sa të zbuten. I heqim nga zjarri , shtojmë gjizën , kripë dhe piper , duke i provuar sipas shijes sonë.
Brumin e ndajmë në 2 pjesë dhe cdo pjesë e ndajmë në 10 topa.
E spërkatim tavolinën e punës me niseshte , e hapim cdo top brumi në një petë të vogël me diametër 10-12 cm. ( Jo domosdoshmërisht , mund të jetë më shumë ose më pak)
Cdo petë e lyejmë me anë të një furce me vaj luledielli dhe i vëmë sipër njëra-tjetrës.Kujdes! Mos e lyeni petën e dhjetë.
Veprojmë kështu dhe me dhjetëshen tjetër të topave të brumit.
E spërkatim tavolinën e punës me niseshte , vëmë një nga dhjetëshet e petave , e spërkatim sërish me niseshte dhe e hapim me duar sa të mundemi. Pastaj me shkopin e petëve e hapim petën në madhësinë e tavës që do të përdorim. (pak më të madhe sepse do t’i palosim anët)
Në një tavë të lyer me vaj , shtroni petën e poshtme. Vendosni mbushjen .
Hapim petën e sipërme në të njëjtën mënyrë dhe e vendosim sipër mbushjes. Palosim anët dhe e lyejmë në të gjithë sipërfaqen me vaj. ( mua më pëlqen shija e farave të susamit , ndaj gjithmonë i hedh në sipërfaqe , por kjo është sipas preferencave)
E pjekim për rreth 25-30 minuta ose derisa të marrë ngjyrë kafe të artë në sipërfaqe në furrë të parangrohur me 220 gradë Celcius.
JU BËFTË MIRË!
Këshilla:
Mbase lyerja e cdo pete me vaj , do t’ju duket disi e tepruar. E po , këtu duhet të më besoni kur ju them, se pas pjekjes , nuk do të ndjeni fare shijen e tij. As nuk do ta ndjeni prezencën.
Duke i hapur 10 petë të vogla në një të vetme , gjatë pjekjes , do të përftoni pak a shumë një petë të ngjashme me sfoliatën .
Anët e byrekut mos i lini shumë të trasha sepse mund të mbesin brum dhe pas pjekjes.