Titullin e huazuam paak nga “Shrek”, për t’ju tërhequr vëmendjen nga ana teknike dhe nga debatet për ndërtesën e re të Teatrit Kombëtar dhe për t’ju prezantuar me themeluesin e studios Bjarke Ingels Group, që ka marrë përsipër projektin e ri të Teatrit.
Nga çfarë pamë dhe çfarë lexuam për danezin Bjarke Ingels, mendojmë se ndoshta duhet ta shohim gotën gjysëm-plot, sepse kemi të bëjmë me një nga emrat më joshës të arkitekturës aktualisht dhe më i kërkuari për ndërtime të reja në kryeqendrën e botës, Manhattan.
Që nga viti 2009, Ingels ka fituar shumë konkurse arkitekture dhe në 2016-ën, revista “Time” e ka emëruar si një prej 100 njerëzve më me influencë në botë.
Për më shumë, kemi përshtatur një shkrim të Janarit të 2017-ës për Bjarke Ingels nga revista “Vogue”.
Bjarke Ingels është momentalisht një nga emrat më të famshëm të arkitekturës në botë. Danezi ka punësuar mbi 400 vetë në studio e tij në Kopenhagen dhe Neë York dhe tashmë Bjarke Ingels Group (shkurt njihet si BIG) ka në dorë numrin më të madhe të projekteve më të rëndësishëm në Manhattan. Projektet nisin nga 2 World Trade Center që pret të nisë ndërtimin sapo të gjenden investitorët, qiellgërvishës dhe një strukturë prej 15 kilometrash që do të mbrojë pjesën “Downtown” të Manhattanit nga përmbytjet dhe ndryshe njihet si BIG U.
42-vjeçari, siç shkruan revista “Vogue” është shumë i ri për të marrë përsipër kaq shumë projekte të rëndësishme, duke konsideruar që një prej emrave më të mëdhenj, Frank Gehry ishte 78 vjeç, kur pa përfundimin e ndërtesës së tij të parë në New York.
“Të jesh bashkëpunues me klientin është shuumë e vështirë dhe do të marrësh përsipër edhe akuza mbi supe. Dëgjon shpesh arkitektë që ankohen se sa ide brilante kishin në mendje dhe se si ajo ide u zbeh falë kompromisit. Unë mendoj ndryshe; përpiqem që të kthejë fuqinë e armikut në fuqinë time. Duke dëgjuar, observuar, duke parë kushtet në të cilat do të punojnë, arrijmë të realizojmë diçka shumë më interesante.” Thotë ai për Vogue.
Ingels është akuzuar për shumë gjëra, si për reklamim të paturpshëm të vetes në rrjete sociale, pranimin e çdo lloj porosie që i vjen para, por nëse Ingels është fajtor për ndonjë gjë, shkruan Vogue, është për faktin që ai ka një vullnet të jashtëzakonshëm për t’i çuar gjërat deri në fund dhe kjo ka shkaktuar zili tek kolegët e tij.
Në qytetin e tij të lindjes, Kopenhagen, një nga punët e tij të para ishin disa pallate banimi, në kohën që arkitektët e tjerë seriozë i kishin braktisur këto projekte, duke favorizuar muzeumet dhe biblotekat.
“Unë nuk kam parë kurrë një ndërtesë të tijin, ku nuk kam dashur të rri gjatë.” Thotë aktori danez Nikolaj Coster – Waldau Ingels u rrit në rrethinat e Kopenhagenit dhe studimet e larta i kreu në Copenhagen’s Royal Academy of Arts. “Unë kam qënë shumë normal, nuk kisha asnjë lloj mllefi që karakterizonte të riun. Isha shumë i rregullt.”
Në moshën 31-vjeçare pas disa eksperiencave në Seattle të Shteteve të Bashkuare dhe dështimit të një kompanie të përbashkët me mikun e tij, PLOT, ai themeloi BIG. Si një batutaxhi i thekur, atij i pëlqen fakti që adresa e internetit të kompanisë së tij është big.dk (kur e lexon, pak a shumë tingëllon anglisht për “Penis i madh.)
Edhe pse ai ka një reputacion si Don Zhuan, prej disa kohësh Ingels është në një marrëdhënie me arkitekten spanjolle Ruth Otero, të cilën e ka njohur gjatë festës së Burning Man në Shtetet e Bashkuara. Një ndër miqtë e tij më të ngushtë është shefi me origjinë shqiptare i Noma, Rëne Rexhepi.
Ingels e quan arkitekturën si artin e transformimit të përrallës në fakt. Ai pranon se nuk ka një stil të caktuar. “Kam të drejtën të bëj gjëra që zakonisht do t’i shmangia.”
BIG momentalisht ka rreth 60 projekte nëpër botë. Studio është duke punuar për një stadium të ri të ekipit të futbollit amerikan, Washington Redskins, ka projektuar një vendbanimi të ri për një çift pandash të cilat janë huazuar nga Kina në Kopshtin Zoologjik të Kopenhagenit. Në Dubai studio po punon për metro dhe stacionet e Hyperloop One, sistemi inovativ i transportit i shpikur nga Elon Musk.
Në Mountain View të Kalifornisë, studio po ridizenjon zyrat qëndrore të Google në bashkëpunimme arkitektin britanik Thomas Heatherwick.
Projekti i Bjarke Ingels Group për Teatrin Kombëtar.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.