KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Për mendimin tonë

Përgjigja e Ema Andreas ndaj ofendimit “kurvë” është fenomenale dhe ja pse.

16 Shkurt 2018

Foto nga Jutta Benzenberg.

Përpara disa ditësh një debat i nisur në faqen personale të aktores Ema Andrea, mes saj dhe aktorit Genti Kame, ndezi të gjithë mediat, të cilat i mëshuan sharjes “kurvë” që Kame, i cili në këtë rast mbronte të atin, regjisorin Gëzim Kame,  e përdori për t’iu adresuar Andreas.

E ndërkohë që ndjekësit e Emës u llahtarisën kur Kame e quajti aktoren “kurvë e Edi Ramës”, përgjigja e Emës ishte fantastike, sepse për herë të parë, tejkaloi reagimet emocionale  femërore që shpesh mbërthehen pas këtij epiteti duke e stërholluar dhe duke i dhënë rëndësinë e panevojshme (kësaj fjale në gojën e oponentit) dhe reagoi si profesioniste, me ftohtësinë dhe sigurinë e dikujt që është shumë e vetëdijshme për absurditetin e akuzës.

 “Fjalën ‘kurvë” e kam dëgjuar prej 100 vjetësh, s’më bën më përshtypje” u përgjigj ajo, duke mbyllur edhe gojën e Kames, por edhe të shumë të tjerëve që dolën në mbrojtje të Emës, duke deklaruar se ky ofendim ishte poshtërues.

Moment nga shfaqja "Nëna dhe fëmija"

Natyrisht e besojmë që Ema është e rrahur me fjalën “kurvë”, që në fillimet e karrierës së saj, kur ajo, një nënë e re me një vajzë 5-vjeçare u nda nga i shoqi dhe vendosi të rriste e vetme të bijën.

Ema Andrea dhe vajza e saj Sara Kapo

Patjetër që ajo është quajtur “kurvë” edhe thjesht për faktin se ka qënë gjithmonë e bukur dhe e lirë në zgjedhjet e saj.

Ema Andrea si shumë kolege të saj do të jetë quajtur “kurvë” edhe për profesionin që zgjodhi, sepse për mentalitetin e shumë njerëzve, aktrimi nëse s’të gjen kurvë, do të të bëjë të tillë.

Moment nga shfaqja "Equus"

Emën medeomos dikush e ka sharë “kurvë” nëpër dhëmbë kur ka parë lirinë e saj të të shprehurit në rrjete sociale.

Moment nga shfaqja "Nëna dhe fëmija"

Dhe nuk dyshojmë aspak që Ema vazhdon të shahet “kurvë” sepse ajo vazhdon të jetë një grua seksi, e hapur ndaj dashurive të reja, edhe nëse ata qëllojnë të jenë djem më të rinj në moshë se ajo.

Në Janar mediat folën për një lidhje të re të Emës me piktorin Eldon Luarasi

Ndaj Ema nuk kishte përse të ndjehej poshtëruar nga kjo fyerje, të cilën në paragrafin – përgjigje të saj e anashkaloi vetëm me një fjali. Sepse siç ajo la të kuptonte gjatë diskutimit, karriera dhe mendimet e saj nuk janë përcaktuar asnjëherë nga të qënit “kurvë” apo “e ndershme”.

Në pjesën tjetër të përgjigjes ajo nuk u mbrojt as si e gjinisë femër dhe as si e lënduar, por argumentoi me shumë qetësi mbështetur në fakte nga eksperienca e saj profesionale. 

Ema Andrea, me siguri që nuk e mendoi kur e shkruajti, por me reagimin e saj fenomenal ajo na bëri një të mirë të madhe ne vajzave e grave të tjera, sepse na tregoi, që mënyra më e mirë për t’ja kthyer çdokujt që mendon se na ulë e na poshtëron duke na quajtur “kurvë”, është të mos i japim aspak rëndësi një fjale komplet absurde, që nuk na përcakton, nuk na përfaqëson dhe më e rëndësishmja është thjeshtë një armë e qullët në duart e atyre që nuk kanë forcë argumenti.

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

MOS I HUMBISNI