Bukuria e veçantë e qirinjve aromatikë: Si t’i blejmë, ndezim dhe shijojmë

 Read in English

Një trend që ka pushtuar me kohë perëndimin, por ende tërësisht Shqipërinë, është qiriu aromatik. Ndoshta në fillim mund ta shihni me dyshim dhe skepticizëm: Pse më duhet një qiri aromatik në shtëpi? Dhe pse duhet të harxhoj para për këtë?

Më besoni kur ju them se e ndryshon tërësisht atmosferën e shtëpisë a dhomës. Një banjë plot shkumë shndërrohet në event. Të qëndruarit vetëm në dhomë, duke lexuar, kthehet në një skenë filmi. Degustimi amator i verës me miqtë tuaj në dhomën e ndenjies merr të tjera përmasa. E kuptoni ç’dua të them.

Në Tiranë, qirinjtë aromatikë nuk kushtojnë shumë dhe janë jetëgjatë. Një çmim i vogël për t’u paguar, për një shtëpi që vjen era vjollcë, myshk, trëndafila, apo ç’tju dojë zemra. Kërkoni në Rossmann Lala-n më të afërt, në Jysk, Megatek, apo dyqane artizanale. Nëse asnjë s’ua mbush syrin në Tiranë, kthehuni nga blerjet online. Në ebay.com mund të gjeni pafund aroma, po ashtu në Amazon, apo sajte të dedikuara aromave si Frederic Malle.

Para se të ndizni një qiri aromatik, duhet të dini disa rregulla që nuk ju vështirësojnë punë, por e bëjnë qiririn më jetëgjatë, hanë pak kohë dhe shpërhapin më shumë aromë.

Gjithmonë shkurtoni fitilin e qiririt para ndezjes. E mira është të jetë diku tek 1cm i gjatë. Më pas, nëse është hera e parë që e ndizni qiririn, lëreni të digje për të paktën dy orë ose më shumë. Shtresa e sipërme e dyllit duhet të shkrijë tërësisht para se të fiket e të ftohet. Kështu do të parandaloni gropën rreth fitilit që e bën qiririn të papërdorshëm më tej.

Kini parasysh atmosferën që doni të krijoni. Nëse bëhet fjalë për një darkë, mos ndizni qirinj aromatikë në tavolinë. Për të arritur sërish ndjesinë që japin qirinjtë, përdorni versionet e vegjël, si këta në foto, pa aromë. Duhet të shijosh ushqimin dhe aromat e tij, prandaj aromat e jashtme nuk janë të këshillueshme në darka.

Për dhomat e vogla këshillohet të përdoren aroma mikpritëse, të ngrohta si dru, lëkurë dhe kashmir. Doni të ndiheni rehat, sikur po ju përqafojnë. Banjat, sigurisht, duhet të dekorohen le të themi, me aroma të freskëta, që ju mbajnë zgjuar. Diçka në linjat e limonit ose mentes. Ndërsa dhomat e gjumit janë perfekte për aroma të buta si zambaku apo vjollca. Korridoret apo dyert kanë tjetër ndjesi kur vijnë era lulesh të bardha si manjola, lule ylangu, narcizë. Në fakt, këto lule shkojnë mirë kudo.

Kur të doni të fikni qiririn, fryni butësisht që të mos trazoni dyllin e shkrirë dhe mbulojeni menjëherë me kapak. Nuk doni që dhoma juaj të vijë erë e djegur pas atij dy orëshi fantastik.

Artikuj të ngjashëm