Numri i lindjeve në vendin tonë po vazhdon të bjerë me shifra shqetësuese. Një fenomen i tillë, tregon se Shqipëria po plaket me ritme të frikshme. Sipas Institutit të Statistikave, vetëm në tremujorin e tretë të vitit numri i lindjeve u ul me 20.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tendenca për të mos lindur fëmijë po kthehet në një shqetësim madhor për të ardhmen e vendit, pasi vetëm vitin e kaluar numri i lindjeve në vend regjistroi nivelin më të ulët në gati 100 vjet.
Ky vit duket edhe më keq se ai paraardhësi, pasi për 9 muajt e parë numri i lindjeve ka rënë më 3300 krahasuar me 2016-ën.
Nëse ky fenomen vazhdon, Shqipëria do të përballet me një krizë demografike duke shënuar rënien e 3-të më të shpejtë të lindshmërisë që është regjistruar ndonjëherë, pas Koresë dhe Rusisë.
Përpos kësaj, plakja e popullsisë shoqërohet gjithashtu me pasoja të rënda sociale dhe ekonomike në vend.