KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Anabel Gruaja

Lundrimi i një beqareje të lumtur.

16 Dhjetor 2017

  (Copyright: Anabel.al. Ky shkrim nuk mund të publikohet pa lejen me shkrim të Anabel.)

Të mërkurën pasdite vendosa të bëja disa blerje për të dekoruar bredhin. Jam 28 vjeç dhe momentalisht nuk kam asnjë të dashur. Më saktë kam 1 vit që nuk jam në asnjë lidhje dhe jam shumë ok kështu. Shkoj në punë çdo mëngjes deri në orën 6 të pasdites. Darkën zakonisht e ha herët nga mami që jeton dy stacione autobuzi larg meje. Pastaj dal ose rri në shtëpi e shoh seriale në Netflix. Si të më vijë.

Lidhjen e fundit e mbylla vetë, sepse pas 6 muajve të lumtur pasioni, ai, si shumë 37-vjeçarë të tjerë, kërkonte fëmijë. Jo një herë, por fliste për to çdo ditë. Fliste ai, nëna e tij, derisa nisi të fliste edhe mamaja ime duke harruar faktin se unë me këtë njeri kisha vetëm 180 ditë që njihesha.  Nga një lidhje pasioni, ku bënim seks të shfrenuar në çdo sipërfaqe solide brenda territorit të republikës së Shqipërisë, marrëdhënia u kthye në llogaritje matematikore. “Ti je 28 vjeç, që do të thotë se ke kaluar moshën ideale për të bërë fëmijë dhe ke humbur gjysmën e vezëve. Unë jam 37 vjeç. Kur të bëhet çuni (Se për të do të ishte çun me përcaktim-paramendim) për universitet, po e nisëm tani, unë do të jem 56 vjeç!” Shkenca ekzakte nisi ta shuante dalëngadalë pasionin. E vetmja gjë që vendosa të numëroja me përpikmëri, ishin ditët e kontraceptivëve, me frikë se mos më shpëtonte ndonjë!  Derisa vendosa që t’ja thoja hapur se nuk isha gati për fëmijë dhe si me magji, të nesërmen ai u zhduk nga jeta ime.

U ndjeva krenare nga ajo ndarje për një fakt: Kisha marrë një vendim për veten time dhe duke parë reagimin e tij, isha shumë e lumtur që nuk zgjodha të kaloja jetën me dikë që më shihte si vezën e duhur për spermatozoidin e tij.  Jetoja shumë e qetë me zgjedhjet e mia dhe vazhdoj jetoj në një apartament që dikur i përkiste gjyshërve të mi të ndjerë. Kur banon vetëm, nuk është se të kap ndonjë ankth për të dekoruar pemën fiks në datën 6. Vjet pas ndarjes, shkova tek tezja në Itali dhe kalova festat andej.

Por këtë vit doja të gëzoja pak veten dhe maçokun tim, që pjesën më të madhe të kohës  vdes ta kalojë brenda në pemë duke goditur topat me putra.  Duhet të kishin kaluar rreth 20 minuta nga endjet e mia nga një sektor në tjetrin të Jumbo-s (unë më shumë rri shoh budallallëqe që nuk më duhen) , kur përpara meje shfaqet ai, ish-i dashuri im T.

Me T. kam pasur një lidhje 4- vjeçare kur isha studente dhe mund të them që ai ishte dashuria ime e parë e madhe. U ndamë sepse ai u largua në Gjermani të zhvendosej aty, fillimisht me shkollë dhe pastaj do të shihte për ndonjë punë. E respektova vendimin e tij dhe të familjes së tij dhe vendosa që ta mbyllnim aty historinë e të mos rrinim me shpresa të kota se një ditë unë do të shkoja në Gjermani (të jem e sinqertë, ai vend nuk më ka joshur kurrë). Natyrisht ai u mërzit shumë. Por edhe unë e pata shumë të vështirë. Natën përpara se të nisej, e kaluam bashkë në një dhomë hoteli në Dajt. Kemi qarë aq shumë e jemi puthur aq shumë, saqë po të na shihte njeri, do të mendonte se të nesërmen, patjetër që njëri nga ne do të pësonte infarkt. Por nuk ndodhi asgjë. Përkundrazi, nuk e di pse, por ditët e para pa të i shijova shumë. Kisha kaluar gjithë fakultetin e lidhur dhe ndoshta kishte ardhur koha të rrija pak vetëm. Ai nga ana tjetër nuk pushonte së më telefonuari, më merrte e më raportonte për çdo gjë, edhe për vogëlsirën më të panevojshme, duhet të ma thoshte mua. “Ela, këtu ushqimi është i tmerrshëm. “ “Ela, do të të nis një foto të shohësh se sa borë që ka.”

Pra “shijimi” i vetmisë sime zgjati maksimumi 5 ditë, se më pas ne u kthyem në një çift me korrespondencë. Edhe unë të them të drejtën, e kuptova që nuk dija të rrija vetëm. Dhe as nuk më linte ai të rrija vetëm. E kështu gjysmën e ditës e kaloja duke folur me të. Ndonjëherë na zinte edhe gjumi në Skype. Kishte raste që ai nervozohej me mua për vendime që unë merrja këtu, si psh. kur vendosa të jetoja vetëm tek shtëpia e gjyshes. “Ky është komplet k*rllik! Për ça do të jetosh vetëm? Ke ndonjë dhe s’e di unë?!” Të vetmin që kisha ato kohë dhe kam tani është Sfungjeri, maçoku im persian, i madh dhe i butë që ka një fytyrë katrore si Sponge Bob.

Kështu kaluam bashkë rreth 5 muaj, derisa telefonatat e tij nisën të rralloheshin. Fillimisht nuk dyshova, duke e justifikuar me faktin se ai kishte shumë provime në shkollë. Por kur unë e merrja dhe ai nuk më kthente përgjigje, apo kur nisa të mos e takoja më netëve në Skype, kuptova se kishte diçka që nuk shkonte. Ajo diçka që nuk shkonte e kishte emrin L. një vajzë shqiptare nga Durrësi me të cilën ishte takuar tek shtëpia e xhaxhait të tij në Bremen. L. sot është gruaja e tij me të cilën ka edhe një djalë.

Tani e kuptoni vetë zemërimin dhe trishtimin kur e mora vesh. Më shumë u mërzita me veten dhe paaftësinë time për t’i qëndruar stoike vendimit të ndarjes që në momentin që ai u largua. Për kaq muaj komunikim në telefon dhe SKYPE, unë nuk isha e dashura e tij, por “limani i komfortit” ku ai kishte ngulur spirancën dhe ku përplasej sa herë i vinte ndonjë dallgë, në frikë për t’u lëshuar i vetëm në udhëtim. Derisa edhe atij i shkëlqeu dielli dhe u zhduk drejt horizonteve të reja pa kthyer sytë mbrapa.

Kanë kaluar 4 vjet që atëherë dhe sot nuk kam kurrfarë ndjesie apo interes për jetën e tij.  Madje kur e pashë tek Jumbo doja t’i hidhesha në qafë si një miku të vjetër. Nuk bëj shaka. Fundja, nuk ishim as të parët e as të fundit që ndaheshim dhe jeta vazhdoi mrekullisht për mua, siç vazhdoi për të.

T. sapo më pa fillimisht u kthye me kurriz nga unë, pastaj u kthye prapë nga unë, pastaj uli kokën, pastaj u kollit, pastaj ngriti sytë dhe mezi formoi një buzëqeshje. Unë ngela në vend se nuk dija ç’të bëja. Intuita më tha që “përqafimi” do të ishte i tepërt. Por të paktën t’i qeshja. E di që ai ndihej në siklet, sepse ishte ai që mbylli historinë (pra më saktë “Fajtori”) ndaj doja që ai të kuptonte se ishte gjithçka ok. Ishim të gjithë OK. Kështu që u afrova e para, me gjithë karrocën të mbushur me topa, drita dhe disa jastëkë që një zot e di përse më duheshin (Po ishin të bukuuur!)

T. ndali në vend bashkë me atë buzëqeshjen që kishte formuar në vijë të drejtë me vetullat e tij. “Ç’kemi? Si je?” e pyes dhe i zgjas dorën. “Mirë, ti mirë?” ma ktheu ai. Më saktë mërmëriti ai. Sikur në atë moment të frynte një uragan nga ai i Teksasit, jam e sigurt se e vetmja gjë që nuk do të prekej në atë qendër tregtare, do të ishte fytyra e tij e ngrirë.

Nuk dija si të vazhdoja dialogun, por meqë e kisha përballë, ashtu të ngrirë, e kuptova që më duhej të bëja “Fevziun” për të nxjerrë këtë situatë... nga situata.

“ Po bën shopping për Krishtlindje? (Hiç ai)

“Ke blerë ndonjë gjë të bukur? (Harroje Uraganin! As Tornado nuk do ta shkundte!)

“Oh ja paske blerë çunit këto?” vazhdoj unë dhe po djersitesha nga mundimi për të mbajtur “normal” këtë dialog. Por këtu gabova.  E kuptova menjëherë si vajzë e mençur që jam, se kisha bërë një Herezi. Kisha përmendur “çunin”! Ai filloi të shkrihej dalëngadalë. Më saktë nisi të nxehej. Të skuqej. E ndjeva se ishte  në siklet, që kur veshët po i lëviznin nga shtrëngimi i fortë i nofullave. E bënte këtë kur vihej në siklet. (Disa tike nervore të tij edhe i mbaja mend dreqi e marrtë!).

“Po” ma ktheu ai.

“Po” për çfarë? “Po” se kishte blerë diçka për çunin? “Po!” si përgjigje ‘shumatore” e të gjitha pyetjeve? Apo “PO” dhe “M’u hiq sysh!”.

E lashë edhe Fevziun. Fundja këtë s’e kisha ftuar unë në terrenin tim, më doli vetë përpara.

Në atë moment, dëgjoj një zë prapa shpatullave të mia. Një zë femre që dukej sikur mezi po kapërdinte një copë ftoi. “T. këtu qenke?” Pas saj direkt një zë fëmije që belbëzonte diçka të pakuptueshme “Babappp”. Gruaja! Djali! Papritur u rrethova nga e gjithë familja e –ishit! Në atë korridor të ngushtë, duhej ose të përqafohesha me ishin, ose të kthehesha nga gruaja e t’i jepja dorën. Majtas kisha kosha me topa shkëlqyese të bredhit. Nga ana tjetër ishin stendat me kostume babagjyshi të varura. Sa të lumtur dukeshin fëmijët në ato foto qesesh, të veshur si babagjysha! Sa doja edhe unë në atë moment të vishja një kostum babagjyshi, e të varesha në një nga ato mbajtëset e të qeshja “Ho ho ho” për gjithë këtë situatë. Që në fakt nuk ishte aspak gazmore. 

U gjenda përballë dy vendimeve. Ose të përshëndetesha me T pa kthyer kokën e të vazhdoja, ose të kthehesha dhe të takoja të shoqen. Natyrisht unë s’kisha përse të ikja me vrap. Unë jam një vajzë e civilizuar. Kur nuk kisha absolutisht asnjë ndjesi qoftë dashurie apo urrejtjeje ndaj –ishit, si mund të kisha ndaj gruas?!  Ajo për mua nuk përbënte asgjë. I kisha kaluar me kohë të gjithë dilemat “Pse ajo dhe jo unë?” Isha velur nga studimi i detajuar i portretit të saj, stilit të saj të veshjes, kisha mbi 3 vjet që nuk i kontrolloja më profilin e Facebook-ut se ku studionte, çfarë shkruante, si u përgjigjej shoqeve në komente. A shkruante me ë? A kishte sens humori? Cilëve këngëtarë u bënte share? Ku e kaluan festën e Vitit të Ri? A shkruhej ajo me motrën e tij apo jo? Sa herë ia shprehte dashurinë T. në postime?

Ah prit se harrova! Herën e fundit që u bëra kurioze për jetën e tyre ishte rreth 10 muaj më parë kur mora vesh se ai u bë baba. Doja vetëm të shihja a i ngjante? Thjesht kuriozitet. Siç kam dashur të shoh a i ngjan çuni më shumë Tunës apo Patrikut?

Por natyrisht, gruaja e tij, si çdo grua moderne e instagramit, i kishte nxjerrë të birit në foto vetëm doçkën me byzylykun ku  lexohej numri 122, që ja vendosin pas lindjes në maternitet. Kishte edhe një foto ku ai flinte në krevat mes të dyve, por fytyrën  prapë ja kishin mbuluar. Në fakt vetëm javën e parë pas lindjes, të dy bashkë kishin hedhur rreth 40 foto të djalit, por në asnjë moment nuk ja tregonin fytyrën. E qartë, sepse “ai kur të rritej do të vendoste vetë nëse duhej të ishte publik apo jo” por deri atëherë, llogarisja që do të postoheshin rreth 250000 foto të të birit me fytyrë të mbuluar dhe Instagrami i tyre do të ngjasonte me një serial ku protagonist është një hacker Anonymous i quajtur “122”.

Ja një arsye më shumë për ta takuar të shoqen. T’i shihja të birin. Më hante kurioziteti!

“Si jeni? Ela.” Dhe i zgjas dorën.

Edhe buzëqeshja e saj ishte fiks si e të shoqit. Vijë! Nuk foli asnjë fjalë. Më zgjati dorën e saj të hollë dhe të ftohtë. Nuk ma shtrëngoi dorën. Më saktë, e rrëshqiti. (Vdekja ime njerëzit që nuk shtrëngojnë duart tamam! Sikur kanë mungesë kalçiumi!)

Ok në këtë situatë, tani s’më mbeste asgjë veç të hidhja sytë edhe nga i biri.

“Shumë i mirë çuni. “

Në fakt unë çunin nuk e pashë fare. Pashë vetëm kurrizin e karrocës sepse ajo po e tërhiqte mbrapsh. Pra me një fjalë, duke dashur të isha e sjellshme, po vazhdoja ta dhjeja.

“Gëzohem pra dhe gëzuar!” vazhdova. (Gëzohem dhe gëzuar!?? Vërtet!? S’mund të gjeja një fjali më normale!?”

Me një buzëqeshje të tërhequr sikur do masja diametrin e fytyrës sime, shtyj karrocën lehtas drejt T. për të sinjalizuar që më duhet të kaloja. Sapo kapërcej kurrizin e tij, marr frymë thellë!

Në jetën time, vetëm dy herë një minutë më është dukur sa një jetë! Herën e parë kur gjyshja po jepte shpirt dhe ne po prisnim ambulancën, që në fakt mbërriti për 7 minuta, por unë ulërisja sikur i kisha telefonuar një javë më parë. Dhe kjo ishte hera e dytë!

Me stil e fsheh karrocën time të mbushur plot  mes dy stendave dhe largohem pa blerë asgjë. Një minutë më shumë në atë vend, do të më shkaktonte atë infarktin që s’më ndodhi kurrë pas ndarjes me T.

Gjatë gjithë rrugës për në shtëpi, i rikthehesha edhe një herë gjithë dialogut. Korrigjoj: Ngërçit! Se dialog ku të ma gjeje! Nuk dëshifrova dot kurrfarë gjëje nga ajo sjellje e T., por dhe as e gruas së tij. Kuptova që po lodhja trurin kot dhe ndalova analizat sapo mbërrita në shtëpi.

Madje nuk ja tregova as mikeshës sime të ngushtë që e takova atë darkë sepse të jem e sinqertë, përtoja. Nuk kisha nerva të ri-ngarkohesha sërish. Plus vendi ku u takuam kishte disa koktejle të jashtëzakonshme.

Të nesërmen në mbrëmje, rreth orës 11, teksa isha përfshirë në mëkatin tim të ngrënies së gështenjave përpara gjumit, më bie telefoni.

“Alo, Ela? T. jam”

“Aa ç’kemi?”

“Doja të të sqaroja për dje.”

Sqarim? Për dje? T. donte të më sqarohej?! Oh Zot! Kjo fjala sqarim është shumë e rëndë për gështenjat e mia!

“Po pse?” dhe zëri im kapi dy oktava më lart.

“Po që isha ashtu. Se nuk e prisja të të takoja. Plus që isha dhe me gruan dhe e ke parasysh vetë…s’është shumë normale.”

“Nuk është normale që u pamë në një qendër tregtare me 10,000 vetë!?”

“Nuk e kisha llafin aty. E kam llafin që…ajo të njeh domethënë, di shumë për ty dhe nuk e ka të lehtë se….”

Përpara disa ditësh nuk më zinte që nuk më zinte gjumi. Hapa televizorin dhe nuk e mbaj mend se si ngeca duke parë e përhumbur një diskutim të quajtur “Poezia sot” në “Pasdite në Top Channel” Të më pyesni se çfarë u diskutua në atë emision, mund t’ju them vetëm se prezantuesja ishte veshur me një fustan shumë të bukur vishnje. Mbaj mend që e pashë të gjithin dhe në mëngjes hëngra veten me dhëmbë që ja kisha vjedhur në mënyrë mizore orët gjumit.

Të më pyesni se çfarë dëgjova nga gjithë ai monolog i T. mund t’ju them vetëm se ai pëshpëriste sikur në krah po i flinte një spiun i Rahjut të Tretë. Vetëm pyetja në fund të monologut më përmendi:

“Ti vazhdon të jetosh vetëm tek shtëpia e gjyshes?”

Në atë moment Sfungjeri më kishte ardhur tek këmbët dhe po “rrërriste”, siç kam qejf ta quaj momentin kur ai fërkohet pas meje dhe kërkon me rr-të e tij të njëpasnjëshe përkëdhelje. Gështenjat e pjekura ishin ftohur ndërkohë. Gështenja të pjekura të ftohta mund të blija çdo ditë dimri tek një grua tek ura e vogël në hyrje të Bllokut. Por mua më pëlqenin të sapo pjekura dhe të ngrohta T.! Natyrisht këtë nuk ja thashë, por nuk e di përse më erdhi një dëshirë që të thyeja të gjitha rregullat e civilizimit dhe t’a shaja, që më ndërhyri aq shumëtuar në ritualin tim.

“Po aty jam vetëm” dhe Sfungjeri më kishte ngulur sytë.

“ Unë jam kthyer në Tiranë nëse nuk e di. Mund të takohemi ndonjë nga këto ditë për kafe...” u përgjigj T. por këtë rradhë me një zë të plotë.

“Mirë” ja preva shkurt dhe për një çast ra heshtje. Dëgjova një “Ok atëherë natën” si nëpër dhëmbë. Prapë heshtje. Pas disa sekondash, mbylli telefonin. Fatkeqësisht nuk iu ktheva dot gështenjave pas asaj telefonate. M’u pre oreksi. Dhe më keq, më ikën edhe dy orë kot në krevat duke ri-analizuar nga fillimi të gjithë situatën e më pas bisedën në telefon.

Shoqja ime e ngushtë, Ledia, më tha të nesërmen se ai më donte akoma.

“ Oh Zot, sa vdes për ketë momentin kur ata rrinë si lo*e dhe e kuptojnë se çfarë kanë humbur!” Ledias i qeshnin sytë, sikur të kishte përjetuar ajo historinë time.

Nuk fola. Por në atë moment kuptova diçka shumë të rëndësishme. Që unë isha keqkuptuar nga fillimi në fund! As shoqja ime prej 8 vjetësh nuk e besonte se mua vërtet nuk ma ndjente.  

Nuk e pashë në asnjë moment sjelljen e tij si “Triumfin tim”. Përkundrazi, më erdhi inat që pikërisht atëherë kur unë kisha stabilizuar çdo marrëdhënie me të kaluarën time, e kaluara e pazgjidhur e T. u përpoq të më bënte sërish protagoniste. 

Askush nuk e kupton se fakti që jam ende “single” nuk më bën liman të braktisur e “krahëhapur” për çfarëdolloj anijeje, mjafton të ankorohet edhe për disa oreë, që të quhem “e vlefshme.” Në këtë det me qindra-mijëra zgjedhje, unë zgjedh të lundroj e lirë siç dua vetë.  

Në darkë kur shkova në shtëpi, ndenja goxha kohë nën ujin e nxehtë të dushit. Më dukej sikur do të më pastronte nga gjithë ajo kakofoni ngjarjesh e mendimesh. Pastaj vesha pizhamat e lara, u futa në krevat bashkë me Sfungjerin dhe hapa laptopin. Isha në fund të sezonit të dytë të “Stranger Things”. U zbulua që Will ishte poseduar nga Shadow Monster. Dhe ashtu, e mbërthyer pas ngjarjes më zuri gjumi. Ngrohtë, butë dhe pa asnjë ëndërr.     

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

MOS I HUMBISNI