Kur u bë publike deklarata e 32-vjeçarit Tereziu shqiptarët reaguan me “ta vrasim, ta djegim”. Në fjalët e tij, vajza nuk kishte thënë jo dhe dukej më e madhe në moshë. Si guxon një burrë i rritur t’i afrohet një minoreneje, pedofil, manjak!
S’mungoi as opinioni i qendrës, ku situata ishte më me nuancë dhe s’mund të quhej përdhunim i mirëfilltë dhe faji qëndronte tjetërkund. Me gjithë objektizmin e mundshëm, Tereziu ngjan si personi i gabuar në vendin e gabuar, që s’bëri pyetjen e duhur: Sa vjeçe je?
Dhe sigurisht, ekstremi tjetër, fajësimi i viktimës pas deklaratës së minorenes. Kush të kap me zor sot? Ka dashur vetë ajo, donte të provonte hotelet dhe tani s’di ç’thotë, ja vë fajin atij. “Ta vrasim, ta djegim.”
S’është e habitshme në fakt. Të dyja palët janë edhe viktima, edhe fajtorë, por jo në sytë e të njëjtit person. Këtu vihet re deri diku ndarja e opinionit publik në liberalë dhe konservatorë, ku të parët mbajnë anën e viktimës dhe të dytët anën e 32-vjeçarit. Grupimet bashkohen në fajtorin e vetëm dypalësh, hotelin që nuk i kërkoi vajzës një kartë identiteti.
Amerikanët e quajnë “he said, she said”, si për t’i mëshuar idesë që është fjala e njërit kundër fjalës së tjetrit dhe të besosh kë të besosh, po e bën qorrazi. Sidoqoftë, në këtë rast, e mitura nuk mund të bëhet me gisht në asnjë lloj mënyre. Ka njerëz që përdhunojnë dhe/ose abuzojnë seksualisht pa pasur nevojë për “provokim” dhe fajin është i tëri mbi ta.
Ligji (neni 100) mban qartazi anën e 13-vjeçares në këtë situatë. Edhe sikur ajo vetë të donte të kryente marrëdhënie me Tereziun (apo me këdo) është përgjegjësia e më të madhit të pyesë për moshën dhe të distancohet.
Të gjithë mund të mësojmë diçka nga kjo që ndodhi: viktima nuk ka ndonjëherë faj, pyesni për moshën e më pas për konsent, situatat kanë më shumë nuanca nga ç’duam të besojmë.