I ftuar në 20-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës, ambasadori amerikan, Donald Lu, foli hapur dhe pa doreza për sitautën kriminale në vend. Ai e nisi fjalimin e tij duke përmendur vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi nga bashkëshorti i saj dhe se si sistemi gjyqësor në vend ishte fajtor për këtë.
“[...] Pata mundësinë të merrja pjesë në ceremoninë e diplomimit në Shkollën e Magjistraturës vitin e kaluar. Atje, pata kënaqësinë të bisedoja me Files Hafizin për përkushtimin e saj për ta bërë më të mirë sistemin gjyqësor shqiptar. Si të gjithë të diplomuarit, ishte një e re e shkëlqyer dhe e talentuar që donte t’i shërbente vendit të saj.
Sistemi gjyqësor e la në baltë Fildesin. Sistemi dështoi ta mbante të shoqin e saj të rrezikshëm në burg. Dështoi ta mbronte kur ai u lirua. Fildesi, si të tjera gra në Shqipëri që janë viktima të dhunës në familje, meritojnë dicka më të mirë nga sistemi i drejtësisë.
Vdekja e Fildesit nuk duhet të shkojë dëm. Ajo duhet të jetë frymëzim për të gjitë të diplomuarit e Shkollës së Magjistraturës për të vazhduar punën e saj për t’i dhënë drejtësi të vërtetë popullit shqiptar. Ajo e la këtë përgjegjësi për të gjithë ne [...]”
Ambasadori gjithashtu foli haptazi për grupet kriminale që mbizotërojnë në Shqipëri. Pa druajtje, Lu përmendi emra si Emiljano Shullazi, Lul Berisha apo Klement Balili. Ai ua la detyrë të diplomuarve të rinj të luftojnë krimin e organizuar dhe elementët e tij, shkruan Panorama.