Përpara se të ndodhte krimi makabër mesditën e 31 gushtit, Fadil Kasemi kishte paralajmëruar për tendencat e tij të dhunshme. Ai dhunoi dhe tentoi të vriste asokohe bashkëshorten e tij, Fildes Hafizi, disa herë.
Pas këtyre episodeve, në korrik të 2015-s, Kasemi u arrestua dhe u akuzua për “plagosje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Edhe pse kishte tentuar disa herë të vriste bashkëshorten e tij me armë zjarri, ai nuk u akuzua për “tentativë vrasje”.
Më pak se një vit më vonë, Gjykata e Kavajës e dënoi me 4 vite e 6 muaj burg, dënim i cili u ul në tre vite prej gjykimit të shkurtuar. Pas këtij vendimi, Hafizi i dërgoi një letër Ambasadorit Amerikan Donald Lu, ku i shpjegonte se i rrezikohej jeta. Po ashtu, edhe babai i gjyqtares i dërgoi një letër Ministrisë së Drejtësisë ku kërkonte që vajza e tij të merrej në mbrojtje nga shteti. Në të dyja rastet nuk pati përgjgje.
Në janar të këtij viti, Kasemi lirohet nga burgu pasi përfitoi nga amnistia e propozuar nga ish-ministri Ylli Manjani. Pas lirimit, ai e kërcënoi disa herë bashkëshorten, por ajo nuk e denoncoi në polici.
Një muaj pas lirimit, në shkurt, Fildes Hafizi kërkoi të transferohej nga Shkodra drejt Tiranës ose Durrësit, pasi kërcënohej dhe ishte në rrezik ajo dhe familja e saj. Kërkesa iu mohua.
Pak ditë më parë, më 31 gusht, gjyqtarja Hafizi mbetet e vrarë nga duart e ish-bashkëshortit të saj. Një krim të paralajmëruar me kohë, që sistemi nuk arriti ta parandalojë.