Siç edhe e paralajmëroi, më në fund artistja Elvana Gjata, ka nxjerrë në treg bashkëpunimin e saj të parë ndërkombëtar "When forever is over" (Kur mbaron përgjithmonë.)
Kënga është kompozuar nga një prej kompozitorëve më të nxehtë të momentit në Amerikë, Poo Bear, ndërsa producent është i famshmi David Guetta. "When forever is over" është xhiruar në Spanjë nën regjinë e Richard Paris Wilson.
Në klip, Elvana vjen me një imazh të tjetërsuar nga ai që jemi mësuar ta shohim në klipet e tjera të realizuara në Shqipëri: flokë të krehura në një stil natyral dhe grim i lehtë, një pamje që i shkon për shtat tregut amerikan.
Në fillim Elvana shfaqet e vetme me një fustan të bardhë të grisur në mes të një shkretëtire, duke kënduar "Kur mbaron "Përgjithmonë" për t'iu referuar betimit që çifti bën në altar për një dashuri të përjetshme. Më pas, regjisori ka përdorur kalin si simbolikë të lirisë dhe nisjes së një jete të re. Mbyllja, kur këngëtarja sheh veten e saj të shumëfishuar, shpjegon edhe fundin e arratisjes nga një marrëdhenie e përfunduar: Të gjesh veten!
Përse është ky klip një hyrje e fortë në tregun ndërkombëtar?
Vitet e fundit ne jemi mësuar ta shohim Elvanën me hite pop si "Love me", "Puthe", "Lejla" apo "Njësoj" të cilat për hir të së vërtetës, kanë pasur sukses të jashtëzakonshëm në trevat shqiptare. "Forever is over" i jep Elvanës një dimension tjetër; stili është i përqafueshëm kudo në botë; këtë lloj kënge mund ta shohësh fare lehtë edhe në klasifikimet e Gjermanisë, të Amerikës, Australisë apo Azisë. Është një këngë që dëgjohet në radio, mund të rimiksohet për diskoteka dhe plazhe dhe gjithashtu, teksti i plotë, kompozimi, produksioni dhe vokali i artistes shqiptare, e bëjnë jo vetëm një hit "Forever is over", por edhe i japin të gjitha trajtat e një kënge të fortë artistikisht.
Vetë kompozitori i famshëm Poo Bear eshte shprehur pwr bashkëpunimin: "Elvana është padyshim një nga artistet më të talentuara dhe më të afta, me të cilat kam punuar ndonjëhereë në karrierën time! Kontrolli i saj vokal dhe shpirti, janë kombinuar me një zë që rezonon nëpër të gjitha frekuencat. Mezi pres që bota të dëgjojë "Forever is Over"
Kush janë njerëzit që krijuan hitin me të cilën Elvana prezantohet në botë?
Jason Boyd a.k.a Poo Bear:
Kemi shkruar disa herë për ta, por ja vlen të ri-theksohet se "Forever is over" është realizuar në studion e një prej producentëve më të mirë të momentit, Jason Boyd (Emri artistik Poo Bear)
Poo Bear është njeriu që riktheu fuqishëm në treg, Justin Bieber dhe "e burrëroi" me hitet si "What do you mean" "Where are you now", "Hold Tight", PYD apo "All that Matters".
Poo Bear, fitues katër herë i çmimeve më të rëndësishme të muzikës 'Grammy", e nisi karrierën me super-hite si "Peaches & Cream" interpretuar nga 112, ka kompozuar hitet e Usher "Caught up" dhe "Superstar" apo "She ain't you" dhe "I can transform ya" të Chris Brown. Çdo këngë e tij është bërë mega-hit dhe u ka dhënë shumë çmime artistëve interpretues.
Të gjithë punët e tij të marra së bashku kanë arritur deri në 350 milionë disqe të shitura në të gjithë botën.
David Guetta
Nëse me kompozitorin "Poo Bear" shumë prej nesh janë njohur gjatë lajmeve të fundit mbi bashkëpunimet ndërkombëtare të Elvanës, të gjithë absolutisht njohim DJ e famshëm francez, David Guetta. Guetta është producent i këngës së Elvanës "Forever is over". Artisti i cili ka shitur mbi 9 milionë albume dhe mbi 30 milionë singles në të gjithë botën, njihet për mega-hite si "When love takes over", "Titanium", "Turn me on", "Without you", "Gettin'Over You", "Memories etj. Në vitin 2011, David Guetta u cilësua si DJ më i mirë në botë nga një sondazh i DJ Mag.
Bashkëpunimi i tij me Kelly Rowland "When love takes over" është konsideruar nga revista "Billboard" në 2013, si bashkëpunimi më i mirë dance-pop i të gjitha kohërave.
Richard Paris Wilson
Wilson është regjisor i videos. Në faqen e tij zyrtare ai rendit disa bashkëpunime të famshme në regji. Wilson ka realizuar klipin e Zara Larsson & Mnek "Never forget you" që ka kapercyer mbi 300 milionë klikime.
Gjithashtu, koncepti i tij është pas videos së Rag N'Bone Man "Simple days" (Grupi i famshëm për super-hitin "Human"). Wilson gjithashtu ka bashkëpunuar në fushata publicitare të markave të njohura në botë si "Samsung" apo "Johnnie Walker", ka realizuar një sërë dokumentarësh dhe filma të shkurtër etj.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.