“Jetën nuk do ta kem këngë ndoshta, por këngën e kam jetë. Unë nuk do të heq dorë nga kënga.”
Kështu u shpreh Irma Libohova e ftuar në “E Diell”, ku i tregoi Adi Krastës për jetën e saj pas humbjes së bashkëshortit, Besnik Kaso.
Ishte ndoshta momenti më emocionues në skenë për të: dy ditë pasi ai ndërroi jetë, Irma Libohova nuk hoqi dorë nga koncerti i planifikuar në Durrës. Sepse ai mund të mos jetë më me të fizikisht, por gjurmët që i ka lënë janë shumë të thella. Mes lotësh, Irma tregoi se nëse është kështu, është edhe falë bashkëshortit.
“Unë në jetën time jam kjo që jam edhe pas vdekjes së Besnikut, sepse ai më ka lënë ajrin e tij, që më bën të jem kështu. Dhe me siguri nuk më gjykon për sjelljen.”, tha Irma Libohova. “Gjithmonë më thoshte: “trishtimin nuk duhet ta ndash me të tjerët.” Me të tjerët ndaj vetëm gëzimin, nuk ua “hedh hallin” të tjerëve.”
E megjithatë, pohon se dhembja nuk largohet, siç thuhet shpesh thjesht mësohesh me të.
“Dhembja nuk është plaçkë që hiqet nga vetja, kush e ka i rri në shpirt. Unë do ta mbaj dhe do të vazhdoj jetën.”
E pyetur nga Krasta si është jeta e saj pa Besnikun, ajo u shpreh se miqtë dhe të afërmit po e ndihmojnë shumë ta kalojë këtë periudhë.
“Jam vetëm, por nuk jam e vetmuar. Janë dy gjëra shumë të ndryshme. Kam një rreth të gjerë njerëzish, miqsh. Mbrëmja është e vështirë, por kalohet. Ditën përpiqem ta mbush, shkoj në palestër, bëj gjëra që të mos e mbaj mendjen.”
Besnik Kaso, aktor i njohur për filma si: “Streha e re”, u nda nga jeta në mars të këtij viti për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Martesa e tyre 32-vjeçare nga e cila ka lindur një djalë, Ataoli, është mbajtur gjithmonë larg vëmendjes mediatike.