Shqipëria

Kush po e vret Qaniun në shtëpinë e tij?

24 Shkurt 2017

Kush po e vret Qaniun në shtëpinë e tij?
Grevistët gjatë marshimit drejt Tiranës
Photo courtesy of Qytetarët për Parkun

Qani Rrethi është një baba, kryefamiljar dhe banor i fshatit Zharrëz. Këto ditë emri i tij haset më shpesh në media si drejtues i një greve të nisur dy muaj më parë e që vazhdon ende sot. Prej dy ditësh, ai bashkë më shumë se 30 protestues, kanë nisur një rrugëtim. Ata vijnë në këmbë nga Zharrëza në Tiranë për një qëllim të vetëm: të kërkojnë dëmshpërblimin për ndërtesat e shkatërruara nga lëkundjet sizmike në vendin ku jetojnë si dhe sigurinë për fëmijët e tyre.

“Duam të na vlerësojnë dhe të na dëmshpërblejnë. Asnjë nga qeveritë nuk ka bërë asgjë. Ditën e 7-të të grevës erdhi deputetja e zonës, që as nuk e dinte se e kishim nisur grevën. Na kanë shkatërruar shëndetin e fëmijëve. I dërgojmë çdo muaj fëmijët në spital të bëjnë analizat dhe ata na thonë që është grip. Por, ne e dimë çfarë ka në gjakun e tyre”, tregon Qaniu.

Sipas banorëve, dëmet nuk janë vetëm ato që shihen në muret e shtëpive, madje më të rëndat, kanë të bëjnë me shëndetin e fëmijëve dhe ujin, që tashmë është kontaminuar si pasojë e shpimeve.

“Kjo është hera e tretë që futem në grevë urie.”, vijon të rrëfejë ai për Anabel.al dhe i referohet reagimit të nisur vite më parë, më 2009-ën, vit që përkon me fillimin e punimeve nga ana e kompanisë së naftës Bankers Petroleum. Pas ankesave të banorëve, në dhjetor 2010, Instituti i Gjeo-Shkencave nxori një studim, sipas të cilit tërmetet e Zharrëzës ishin natyrore. Por, tërmetet vazhduan dhe në gusht të 2012-ës; dhe 200 banorë të komunitetit u ngritën sërish në protestë. Qeveria e mëparshme u premtoi atyre se do ngrihej një grup pune për vlerësimin e situatës, por ky premtim humbi bashkë me rezultatin zgjedhor.

Lëkundjet u rikthyen në vitin 2013, sërish në vitin 2014 dhe banorët sërish protestuan. Këtë herë protesta i drejtohej komunës, por banorët shprehën se dhe këtë herë mbeti pa përgjigje. Megjithatë, lëkundjet e dy viteve më vonë, më 19 dhjetor 2016, askush nuk mund t’i anashkalonte. Ato u ndjenë dhe në zona të tjera përreth dhe këtë herë pasojat ishin më të dukshme së më parë. Shtëpi të dëmtuara, të pabanueshme, fëmijë e të rritur dolën në rrugë të tmerruar dhe në ankth për jetën. Tani banorët ishin të vendosur të nisnin një betejë të fortë që sipas tyre, do të mbyllet vetëm kur të marrin dëmshpërblimet dhe të rehabilitohet zona.

Më 23 dhjetor, kryeministri Rama dhe ministri i Energjisë dhe industrisë (MEI), Damian Gjiknuri, njoftuan nëpërmjet një deklaratë për shtyp se ishte urdhëruar ndërprerja e punimeve nga ana e Bankers Petroleum. Paralelisht ata ngritën një grup ndër-institucional. Ky i fundit, i përbërë nga ekspertë dhe specialistë të cilët do të ishin përgjegjës për vlerësimin e dëmeve. Në një periudhë prej një muaji e gjysmë, protestuesit shprehen se asnjë përfaqësues i këtij grupi nuk ka kërkuar takim.

Nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, mësohet se është zhvilluar një takim me përfaqësues të Bashkisë së Patosit, të komunitetit, banorë dhe protestues të Zharrëzës. Gjatë këtij takimi, palët ranë dakord për ndërprerjen e grevës dhe për bashkëpunim në zbatimin e planit të masave.

Ndërsa, nga ana e tyre, grevistët pretendojnë se nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e bërë dhe sipas tyre, ajo është zhvilluar pa kamera dhe me dyer të mbyllura. I pyetur në lidhje me këtë çështje, këshilltari i ministrit, Dardan Malaj, sqaroi se “nuk është zhvilluar takim me grevistët pasi ata e kanë refuzuar vijimësisht kontaktin me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, por janë takuar perfaqësuesit e komunitetit, të cilët janë informuar për çdo masë të marrë. Strukturat shtetërore në qendër dhe në nivel lokal kanë qenë të hapura vijimësisht për të takuar çdo grup që pretendon se përfaqëson komunitetin e për t’i sqaruar për masat e marra dhe ato që janë duke u ndermarrë në vazhdim”.

Në një deklaratë tjetër të 22 shkurtit (kliko këtu) shkruhet se Bashkia e Patosit në bashkëpunim me Drejtorinë e Emergjencave Civile ka bërë një vlerësim paraprak të gjendjes së dëmeve të shkaktuara dhe janë verifikuar dëme në 508 shtëpi. 70 prej tyre janë konsideruar për ndërhyrje të menjëhershme për sistemim të banorëve përkohësisht, riparim të dëmtimeve dhe ndërtim të banesave të reja kur ato janë të pabanueshme.

Protestuesit, nga ana tjetër, pretendojnë se asnjë nga familjet e atyre që janë në protestë, nuk është njoftuar për këtë ndërhyrje.

Nëpërmjet një komunikimi me Drejtorinë e Emergjencave Civile dhe Bashkisë së Patosit, Anabel kërkoi një listë me 70 shtëpitë e konsideruara për ndërhyrje të menjëhershme. Por, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk e vuri në dispozicion listën e detajuar.

Rrugëtimit prej 126 kilometrash të protestuesve i erdhi sot fundi. Të rraskapitur prej grevës 17-ditore, disa prej tyre edhe në karrige me rrota, por ende nuk heqin dorë. E vetmja ngjyrë e kësaj proteste është ajo e një të vërtete të errët, që nuk po gjen përgjigje. Të lodhur prej studimeve dhe premtimeve, ata kërkojnë më shumë se kaq. Për banorët e Zharrëzës nuk ka rëndësi nëse faji është i kompanisë apo i shtetit. Qaniu dhe 40 protestuesit e tjerë kanë vetëm një kërkesë: të dëmshpërblehen e të jetojnë pa frikë në shtëpitë që ngritën me kaq vite punë. 

Ergisa Bejkollari
Gazetare


Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

MOS I HUMBISNI