Në përpjekie për të folur sa më shqip, fjalën ‘rapper’, e kemi përshtatur në ‘repist’. Megjithatë, projekti i ri i MC Kreshës dhe Lyrical Son solli një koncept që ndryshon jo vetëm emrin për ata që bëjnë rap në Shqipëri, por edhe vetë rap-in shqiptar.
‘Rapsodët n’rep t’sotit’, albumi i ri i MC Kreshës dhe Lyrical Son është albumi i parë shqiptar për një treg ndërkombëtar- pra i pari që shitet në të gjithë botën. Vetëm dy ditë pasi u publikua në iTunes, Google Play dhe Amazon, arriti të renditej në vendet e para të albumeve më të shitura hip hop në Zvicër, Suedi e Maqedoni; në Austri në vend të gjashtë e në Gjermani në vend të 12 (shikoni foton 2).
Në të vërtetë ‘Rapsodët...’ nuk është një album i zakonshëm, për dy arsye. Së pari, sepse është një box (kuti) që përmban 4 CD me 28 këngë dhe instrumentalet e tyre, bluzën P.I.N.T, mbajtëse çelësash e objekte të tjera, si edhe një kartë me autografet e Lyrical Son dhe MC Kreshës.
Së dyti, sepse ‘Rapsodët...’ është një album krejtësisht i pavarur; Kresha, Lyrical Son dhe ekipi i P.I.N.T i kanë mbuluar krejtësisht vetë shpenzimet e këtij box-i, pa u financuar nga ndonjë shtëpi diskografike, siç ndodh zakonisht me albumet ndërkombëtare.
Që nga 28 këngët që përmban, tek titulli, tek kopertina ku Lyrical dhe Kresha i bien çiftelisë, ‘Rap-sodët n’rap t’sotit’ e prezanton repin shqiptar jo më thjesht si një projeksion i repit amerikan, por si një lloj të ri të repit, me elemente autentike të kulturës shqiptare.
Në një intervistë ekskluzive për Anabel.al, MC Kresha tregon se ka ardhur koha që reperët shqiptarë, si artistë që dinë të realizojnë edhe krijimin edhe produksionin e këngës, të dëgjohen në të gjithë botën.
1. 'Rapsodet n'rap t'sotit'; është një box i punuar në Gjermani, për tu shpërndarë në çdo vend të botës. Si mbërritët deri tek ky bashkëpunim?
Jemi munduar t’i arrijmë të gjithë fansat e muzikës shqiptare anë e mbanë botës që përmes muzikës tonë, t’i bashkojmë sadopak. Realisht i gjithë albumi është punuar në Gjermani, por edhe box-i është punuar atje perveç kartës së autografit. Ky bashkëpunim është në kuadër të punës së palodhshme të ekipit tonë, që përkundër shumë vështirësive, kemi arritur të realizojmë një album duke mos qenë të varur nga asnjë kompani të madhe muzikore, por në mënyrë të pavarur.
2. Nje album i nisur per hir te artit, hip hop-it, por duket se po arrin edhe suksesin komercial. Keni thënë se jeni përpjekur t'i shprehni botës repin autentik shqiptar, rep 'rap-sodësh'. A besoni se është autenticiteti ai që e ka bërë këtë album të kërkohet e të dëgjohet?
Ideja e realizimit të një albumi të tillë është fondamentale për kulturën e hip hop-it; qëllimi ynë ishte që muzika shqipe të njihet dhe të vlerësohet si muzikë autentike dhe me cilësi që konkurrojnë edhe në tregun botëror. Renditja në klasifikime na bën krenarë, por nuk është ajo arsyeja përse kemi hyrë në këtë treg. Ajo që na ka shtyrë është afirmimi i gjuhës sonë si një gjuhë botërore.
3. Në fund të 2015-ës, Era Istrefi u bë e para artiste shqiptare me një këngë shqiptare që hyri bujshëm në klasifikimet botërore. Ju mes 28 këngëve të albumit keni përfshirë edhe bashkëpunime me shumë reperë shqiptarë, si Ledri, Noizy, Lumi B, Singullar, BimBimma, Vig Poppa, Lavda... A besoni se reperët shqiptarë mund të bëhen të njohur për publikun ndërkombëtar?
Të gjithë ata që kanë kualitet besoj se e meritojnë, unë besoj që rep-artistët tek ne janë të nënvlerësuar shumë, duke pasur parasysh se ne kontribuojmë më së shumti në muzikën moderne shqiptare, si kompozitorë, tekstshkrues, producentë,etj,
4. Pas suksesit evropian të albumit, a synoni produksione për Amerikën?
Ne prodhojmë edhe për Amerikën; para 2 vitesh ne kemi realizuar një këngë me një reper amerikan që quhet Juelz Santana - ata që dëgjojnë muzike rap e dinë se për ç'rap-artist bëhet fjalë - ndërsa albumi që kemi nxjerrë në treg së fundmi, mund të porositet edhe nga SH.B.A.
5. Deri më tani keni publikuar 4 videoklipe nga 28 këngët e albumit, së fundmi bashkëpunimi me Ledrin, 'Hip Hop', një rikrijim hip hop i këngës ‘Dashuria e Humbur’ të Haki Misinit, vokalistit të grupit rok MAK. Përse ishte ky bashkëpunimi i parë që keni zgjedhur të publikoni me një videoklip?
Hmmm ...besoj se për arsyen më të thjeshtë, 40-vjetorin e grupit të parë Rock Shqip "MAK" dhe për prezantimin sa më urban të kultures Hip Hop. Pasi që brenda albumit përfshihen shumë këngë, deshëm që bashkëpunimi i parë të jetë sa më spontan dhe dedikuar kulturës urbane.
6. Dizajnin e kopertinës dhe imazheve të tjera që gjenden në box e ka realizuar Granit Bunjaku, dizenjuesi i albumit të Eminem 'The Eminem Show'. Keni punuar me perfeksionizëm, apo jo?
Ne gjithmonë tentojmë të nxjerrim më të mirën prej produktit tonë, pa marrë parasysh problemet që dalin gjatë punës, por gjëja me të cilën më së paku kemi pasur vështirësi ishte dizajni, pasi që kishim një ide të qartë që nga fillimi dhe për këtë kemi bashkëpunuar me njeriun e duhur, Granit Bunjakun. Besoj se Graniti ka realizuar diçka të jashtëzakonshme, duke shkrirë artin e tij me tonin. Ne kemi punar edhe më parë me Granitin për kopertinën e albumit ‘Emceeclopedy’, kështu që ky bashkëpunim ka qenë shumë spontan dhe i kënaqshëm.
7. Sa e vështirë është të arrish më të mirën kur bëhet fjalë për një album të pavarur?
Po, është fakt që kostot e albumit i kemi mbuluar vetë dhe e kemi bërë me shumë dëshirë, duke pasur parasysh që kemi realizuar një projekt për t'cilin kemi ëndërruar që prej fëmijërisë. Është e vërtetë që na ka kushtuar shumë, por gjithçka harrohet kur bëhet fjalë për të prezantuar repin shqiptar ne përmasa botërore; vetë fakti që dizajni ka rreth 15 vizatime të ndryshme, tregon përkushtimin e të gjithë skuadrës për të nxjerrë më të mirën nga ky projekt dhe besoj se ia kemi arritur t’i kënaqim fansat e muzikës së vërtetë.
8. Keni thënë se dëshironi të jepni një shembull me këtë album, pasi ende në Shqipëri nuk është e përhapur sa duhet kultura e albumeve. Mendoni se ky album po shkarkohet nga shqiptarët që jetojnë jashtë apo edhe të huajt?
Ne duam t’u tregojmë të gjithëve se për të qenë artist i mirëfilltë, duhet të realizojmë albume, projekte me të cilat të kemi çka t’u tregojmë brezave pasardhës. Mund të themi haptaz që po të mos ishin bashkatdhetarët tanë në diasporë të cilët nuk kursehen dhe blejnë albumin tonë, si online ashtu edhe nëpër dyqanet përkatëse, ne nuk do të mundeshim ta realizonim këtë album, pasi është një projekt madhor dhe kostoja e tij është tejet e madhe në krahasim me videoklipin e një kënge, siç jemi mësuar kohëve të fundit. Tek ne ekziston një problem shumë i madh, pasi ndryshe nga vende më të përparuara, në Shqipri e Kosovë është shumë e zhvilluar pirateria dixhitale,e cila bëhet haptazi dhe fatkeqësisht, organet shtetërore hasin vështirësi karshi këtij fenomeni.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.