U trasha! Për disa sekonda u mundova të bëja renditjen e ngjarjeve. Nuk më korrespondonte që Vadiku të kishte pasur marrëdhënie ose të ishte shoqëruar me ndonjë femër, të paktën këto pesë vitet e fundit që ishim shoqe… hmmm, shokë! Ishte e vërtetë që një herë ishim shkëmbyer në rrugë dhe ai kishte bërë sikur s’më kishte parë, por kjo kishte ndodhur këtu e dy vite të shkuara. Ai ishte i shoqëruar me një femër dhe po kalonte nga ana tjetër e rrugës. Unë s’do ta kisha vënë re nëse nuk do të shkaktonte atë rrëmujën e përhershme rrotull tij. Në vend që të mbulohej, kishte dalë komplet zbuluar dhe reagimi i tij për të mos më folur e la vetëm për disa muaj, më la vetëm dhe mua, sigurisht! Nejse, këto janë të shkuara, të harruara! Tani jemi mirë e bukur, për mashalla! Po ça mirë e bukur, se harrova!!! U ktheva në realitet!
-Do të bëhesh baba apo mama? - e pyes dhe e ndiej që skuqem deri në veshë. - Desha të them, ajo do të bëhet mama me ty baba? - e dreqosa fare. Ky ishte një moment shumë delikat… por jo, s’mund të ishte i vërtetë! Nga sytë e Vadikut, kuptova se Liza në Botën e Çudirave rrinte përpara meje e vendosur në historinë e saj. Beni Bani ishte aty, edhe Xhebërvoki, edhe Mbretëresha, vetëm se unë nuk i shihja.
- Po si ta mbajti të fshehur për nëntë muaj? Nuk e kuptoj!
-Ajo jeton në Londër. Shkollohet atje.
-Çfarë do të bësh? Mos më thuaj që do të kujdesesh ti për beben?
-Do të nisem për në Londër. Dikë lind pas dy javësh dhe unë dua të jem aty.
Përgjigjet e tij janë të ngadalta. Ai e donte atë fëmijë, edhe pse rastësisht kishte lënë Dikë shtatzënë. Po merrte impenjimin më të madh që një Vadiks mund të kishte pasur ndonjëherë.
-Nuk e ke hapur mirë kremin, - i them. “Si i ka dalë koha të vendosë dhe krem kundra diellit me gjithë këtë hall?”, mendoj.
-Unë me çfarë mund të ndihmoj? - e pyes, duke iu kthyer dhe një herë bisedës.
-Mos ia thuaj njeriu, të lutem. - Unë hesht. - OK, thuaja kujt të duash! As Dikë nuk do ta mbajë të fshehtë.
Vadiku do vëmendje! Po, po, kjo është mënyra e tij për të thënë: “Jam këtu, merruni dhe me mua”.
-Duhet të dalim për shopping, sytë e mi qeshin. Dhe mos më thuaj që për beben do të blejmë veshje rozë, si të gjitha vajzat e vogla! Do të jetë bebja më fashioniste e Londrës!
Vadiku është i lumtur. Ai nxjerr diçka të vogël nga xhepi. USB-ja me listën e shumëpritur është në duart e mia.
-Ka kohë për këtë, zemër, - i them. - Pas pune, takohemi tek COIN-i që të bëjmë pazare për llasticën. Sytë më mbushen me lot. Ideja e mëmësisë më prek gjithmonë. Përderisa Vadiku e do këtë bebe, do ta dua dhe unë.
-Do të të telefonoj gjatë ditës, - i them. E përshëndes dhe ndahemi.
Rrugës për në zyrë, më kalon ndër mend vazhdimi i historisë, ecejaket e tij nga Tirana në Londër. Sa të vështirë duhet ta ketë një mashkull shqiptar të rrisë një bebe në distancë! Por, si të gjitha mendimet e mia, dhe ky i fundit nuk mbeti pa u ndërprerë nga zilja e telefonit. Një nga avokatët më të bezdisshëm dhe, sigurisht, të një prej klientëve më të mëdhenj të kompanisë ku unë punoj, po këmbëngulte pafund.
-Bjeri, bjeri, se i bie bukur, - mendova duke hyrë në zyrë.
Zilja nuk pushonte. Epo, dhe ky njeri! Ditë e premte. Kur mendja ime fluturonte plazheve topless, me trupa të nxirë dhe të shkëlqyer me vaj, bisedat e punës nuk më duheshin fare! Kjo këmbëngulje kaq i madh për punën, diçka të vërtetë do ta kishte, po kush ia ka nervin?! Zilja çirrej: Kape telefonin, kape telefoooniiin! Hajde shtyje 30 minuta në telefon me këtë tani! Avokati është aq shumë i detajuar, saqë mua më humb filli totalisht ndërkohë që ai flet, por ç’të bëj, duhet t’i përgjigjem se s’bën!
-Aaaalo! - por më mirë të kisha thënë: “Hë, ça do?”.
-Alo, mirëmëngjes! - Dëgjoj nga ana tjetër e telefonit.
-Po, mirëmëngjes, - përgjigjem unë, ndërkohë që hundë, buzë dhe mjekër më janë bërë një nga nervat.
-Mirëmëngjes, o trëndafil me vesë, - kumbon zëri. - Çfarë plani ke? A jemi për një kafe më vonë? Këpuca Numër 46 jam!
Për pesë vitet në vazhdim s’do të kem nevojë për botox, masazhe, kremra... asgjë! Ndiej një tërheqje totale të lëkurës, buzët që më fryhen dhe vithet që më rrumbullakosen bukur dhe sexy, biles-biles, me dy “biles”, dhe flokët po më rriteshin më shpejt! Avokati i tmerrshëm me të cilin kam gati një vit që komunikoj në telefon, qenka Këpuca Numër 46?!!!
-Jam, - i përgjigjem shpejt. - Më bëj një zile kur të jesh poshtë.
Shkoj në banjë, shpupuris flokët, lyej buzët, zbërthej pak bluzën, pastaj e rimbërthej dhe e rizbërthej derisa e bëj me njolla djerse, ngre fundin sipër gjurit, fry gjoksin, fus barkun brenda dhe dal nga banja. Tani s’më mbetet gjë tjetër vetëm të pres dhe nja tri orë të mira. I telefonoj Vadikut.
-Je çmendur? - më thotë. - Ky është lajm! Na e nxori listën jashtë përdorimit, por s’ka gjë!
-Prit, - i them se po hyj në Facebook, të shohim çfarë friends-a ka.
-Mos e bëj, - më thotë, - do të prishet humori kot.
-I paska të gjitha të bllokuara, - i përgjigjem, - dhe foto profili paska një dele.
-OK, qetësohu! Mos fillo të flasësh pambarim kur të takoheni dhe, nëse të bie radha të thuash ndonjë gjë, fol në mënyrë të përgjithshme dhe ngadalë. Fol NGADALË, more vesh?
-Mirë, mirë, - i them e mërzitur, - do të flas ngadalë!
-Dhe mos qesh kot për çdo gjë që thotë, se ty të dallohen emocionet shumë lehtë.
-Ke folur me Dikë? - e pyes.
-Po më gënjen dhe unë e kuptoj, sepse më pas hesht. Do të dalim për shopping, siç më premtove?
-Patjetër, pasditen e kam të lirë dhe mezi po pres të blejmë gjëra të vogla të bukura. Vadik, ti mendon se do të shkojë çdo gjë OK? Ai s’po më merr kot për kafe, apo jo?
-Jo, në fakt, ai s’ka çfarë bën tjetër, se janë shuar gocat në Tiranë dhe i erdhi fati në derë për të pirë kafe me ty! Po çfarë thua mi? E di ti sa është raporti meshkuj-femra, apo nuk e di? Ti vetëm po vajte në Fier, mund të kesh ndonjë shpresë për të gjetur burrë, se atje ke meshkuj me shumicë.
-Pra, ti mendon që nuk ka asgjë paralele? Më ka vetëm mua?
-Fillove me e ka, s’e ka ti?! Ai mund të ketë njëzet femra, zemra, por varet kush del më e forta për ta pasur atë. Gjithë ai mashkull... brrr...
-Mund ta ndaj me të sekretin tonë?
-Cilin sekret?
-Për beben? - E dija që nga ana tjetër e telefonit, një fytyrë e lumtur dëgjonte me buzën vesh më vesh.
-Po, patjetër, mund të dalim të tre për pazar pasdite... Ose jo! Kur ka bebe në mes, burrat tremben. Lëri për një herë tjetër sekretet.
-Ika, - i them, - po më telefonon.
Mbaj frymën, hedh një sy të shpejtë se çfarë po bën kolegia ime dhe hap telefonin.
-Jam poshtë, - dëgjoj zërin e tij burrëror.
Për pesë minuta, kam zbritur. E dalloj atë ndërmjet turmës që ka përpirë barin. Ai s’e ka mendjen, shikon celularin e tij, dhe unë marr kohë për ta soditur nga larg. Është hera e parë që, përveç fytyrës time në pasqyrë, të kem dëshirë të shikoj dikë tjetër. Ai ngre sytë pa e lëvizur kokën dhe muskujt e shpatullës i ka akoma ashtu të ngritur nga qëndrimi në tavolinë. Kaq mjafton për të më mekur. Rregulloj flokët dhe afrohem. E përshëndes me sy gjysmë të mbyllur nga kënaqësia dhe ulem në krah të tij. Më është tharë goja dhe zemra më rreh si e çmendur. Jam e sigurt që nga ne të dy, unë jam e vetja që po përjetoj kaq shumë, por ç’rëndësi ka? E rëndësishme është që loja ka filluar dhe unë duhet të jap maksimumin për të pasur atë që dua.