Artikulli në vijim është shkruar nga psikologia Jonarda Kërkuti, themeluese e "Psikologu Online", platformës së parë profesionale në Shqipëri që ofron konsulta psikologjike online.
Kur e zhveshim sheshin nga zhurma e sloganeve dhe titujve të mediave, ajo që mbetet është diçka që çdo profesionist i shëndetit mendor e njeh menjëherë: një hapësirë terapeutike në qiell të hapur. Një proces shërimi që ndodh aty në mes të rrugës në grup, sidomos kur njeriu del nga mpirja e gjatë kronike, duke sjellë me vete gjithë dhimbjen, izolimin dhe nevojën e shtypur për t'u dëgjuar.
Në thelb, grumbullimi masiv nuk është vetëm një reagim ndaj një ligji apo një vendimi administrativ, por një lloj rebelimi psikologjik apo shpirtëror kundër një amullie të gjatë që ka pllakosur psikikën tonë kolektive.
Ka ndodhur që me breza të tërë, kemi thithur një lloj helmi të padukshëm, atë që psikologjia e quan "pafuqi të mësuar": pra, bindja se çfarëdo që të bëjmë, gjërat nuk ndryshojnë.
Kur njerëzit përballen vazhdimisht me një mur të palëkundur, ku çdo përpjekje për të ndryshuar fatin e tyre dështon, truri krijon një mekanizëm mbrojtës: fikjen e shpresës. Ky dorëzim kthehet në një lloj letargjie shoqërore, një pranim i heshtur se jemi të pafuqishëm përballë rrethanave. Me kalimin e kohës, kjo apati kthehet në normë sociale, duke u trashëguar si një gen i dëmtuar që prodhon shprehje fataliste dhe dorëheqje përpara kohe.
Si shfaqet pafuqia e mësuar mes nesh:
- Kur valixhja shihet si e vetmja rrugëdalje.
- Kur dita nis me të njëjtat diskutime ku shajmë e shfryjmë për sistemin, çohemi nga tavolina dhe kthehemi në shtëpi duke u dorëzuar para tij.
- Kur shprehje si “këtu s’bëhet kurrë gjë” apo “kush iku, shpëtoi” janë thjesht një mburojë që përdorim për të mos u ndjerë fajtorë që po rrijmë duarkryq.
- Kur për shërbimin më të thjeshtë spitalor apo administrativ kërkojmë patjetër “dikë të njohur”.
- Kur pranojmë kushte të vështira, rroga të mbyllura apo arrogancë nga eprorët pa guxuar të ngremë zërin, nga frika se "po fole, të heqin dhe nuk gjen dot gjë tjetër".
- Kur skandalet publike nuk na tronditin më, sepse jemi mësuar të mendojmë se asgjë nuk ndëshkohet.
- Kur njeriu që zgjedh të punojë ndershëm shihet si naiv, jo si model.
- Kur gjithë zemërimi ynë shkarkohet në komente online, duke e harxhuar aty të gjithë forcën që duhej të na çonte në veprim real.
- Kur fjalia “këta të gjithë njësoj janë” tregon se kemi hequr dorë nga fuqia jonë më e madhe qytetare, duke ua lënë fatin tonë në dorë të tjerëve.
Në këtë kuadër, rruga merr funksionin e një elektroshoku për ndërgjegjen. Dalja në hapësirën publike, ndarja e të njëjtit ajër dhe e të njëjtit shqetësim me qindra të tjerë, shërben si një rizgjim.
Ka një nevojë dëshpëruese te njeriu për të parë se nuk është i vetëm në dëshpërimin e tij.
Kur individi izolohet në zhgënjimin e vet, ai fillon të dyshojë tek e vërteta e tij, duke pësuar një lloj tjetërsimi të brendshëm. Por kur sheh se i njëjti ankth pulson edhe në sytë e tjetrit, ndodh një çlirim i fuqishëm katartik. Izolimi mendor shpërbëhet dhe ajo që dikur dukej si një dobësi personale, kthehet në një forcë të përbashkët që legjitimon ekzistencën dhe të drejtën për të kërkuar dinjitet.
Nëse hedhim sytë nga ato shoqëri që gëzojnë një shëndet të lartë mendor dhe një stabilitet emocional kolektiv, vëmë re se sekreti i tyre qëndron fort te "kontrata e besueshmërisë". Kur ekziston një sistem që funksionon, ku individi e di se institucioni është i parashikueshëm dhe i drejtë, nivelet e stresit kronik dhe ankthit social bien ndjeshëm. Në mungesë të kësaj rrjete, shoqëria jonë funksionon në një gjendje të vazhdueshme alarmi, në një regjim mbijetese ku çdo ditë është e pasigurt.
Prandaj, ajo britmë në shesh nuk është thjesht zemërim ndaj një personi; është një thirrje ekzistenciale për të pasur një strukturë solide ku mund të mbështetemi pa pasur frikë se do të shembet mbi ne.
Megjithatë, si studiues të psikikës njerëzore, nuk mund të mjaftohemi vetëm me skanimin e asaj që nuk funksionon jashtë nesh. Institucionet nuk janë entitete abstrakte apo fantazma që zbresin nga qielli; ato janë thjesht pasqyrimi i asaj që ne jemi në mikro-botën tonë. Çdo kulturë korrupsioni, çdo gjuhë arrogance apo mungesë empatie që shohim në zyrat e larta, e ka zanafillën te mënyra se si ne edukojmë, se si komunikojmë në familje, dhe te kompromiset e vogla morale që bëjmë çdo ditë në jetën tonë private.
Sheshet mund të ofrojnë çlirimin e parë nga ngarkesa emocionale, por ato nuk e zgjidhin dot neurozën tonë kulturore. Shërimi i një kombi nuk vjen nga ndryshimi i emrave në zyra, por nga një proces i thellë introspeksioni. Kjo sepse institucionet janë pasqyrimi i asaj që ne jemi çdo ditë, në zgjedhjet e vogla, në mënyrën si komunikojmë, si edukojmë, si e trajtojmë tjetrin pranë nesh. Qytetari i brendshëm ndërtohet shumë para atij të jashtëm dhe ndoshta, kjo është puna tjetër më e vështirë që na pret.
-
Kam frikë nga ataket e panikut
4 Dhjetor, 14:05 -

